Transmetuar më 13-11-2025, 12:37

Raportimet në media orët e fundit sugjeruan se nëna e të ndjerit Sulo Halili ka përjetuar rëndë dhimbjen dhe aluduan se është ndarë nga jeta si pasojë ataku kardiak nga dhimbja, por familja e 27-vjeçarit shqiptar ka reaguar duke theksuar se kjo nuk është e vërtetë.

“Gjithçka është mirë, gruaja është mirë, çfarë budallallëqesh janë këto që po shkruajnë? E di që i shkruajnë kudo, por fola me të. Duam të dimë kush e publikoi i pari”, ka deklaruar tezja e 27-vjeçarit, duke i dhënë fund dyshimeve.

27-vjeçari shqiptar Sulo Halili nga Tepelena u gjet i vrarë dhe i djegur brenda makinës së tij në rajonin Skourta të Viotias në Greqi më 8 nëntor.

Zbardhen rrethana të reja për krimin e rëndë në Greqi

Sipas mediave greke, 27-vjeçari dyshohet se ishte joshur përmes një aplikacioni takimesh nga një grua në zonën e Vilias, ku mendohej se do të zhvillohej një takim. Në vend të kësaj, ai ka rënë në kurth, është rrëmbyer dhe torturuar për orë të tëra, përpara se të qëllohej dhe trupi t’i digjej brenda automjetit.

Makina ku u gjet trupi ishte vjedhur më parë në Glyfada dhe mbante targa të falsifikuara nga një automjet tjetër në Pieria — një detaj që, sipas policisë, tregon për përfshirjen e një grupi të organizuar kriminal.

Hetuesit besojnë se Halili mund të jetë vrarë në një vend tjetër dhe më pas trupi i tij është transportuar dhe djegur në Skourta për të zhdukur gjurmët e krimit.

Hetimet vijojnë – telefoni i viktimës, prova kyçe

Në qendër të hetimeve ndodhet telefoni celular i viktimës, i cili ende nuk është gjetur dhe që mund të zbulojë komunikimet e fundit të 27-vjeçarit para se të zhdukej.

Ngjarja ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi dhe banorët e Halkidës e Viotisë, që flasin për një krim me egërsi të pazakontë.

Autoritetet greke theksojnë se hetimi është në fazën përfundimtare, dhe se identifikimi i autorëve është çështje kohe.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit