

Shpërndarja e shpenzimeve buxhetore tregon për një zhvendosje të lehtë drejt forcimit të funksioneve publike dhe të sigurisë, teksa shihet rënie e mbështetjes për politikat sociale dhe arsimin. Sipas të dhënave të projektbuxhetit 2026, fondi për shërbimet e përgjithshme publike do të jetë 68,5 miliardë lekë dukë zënë 7,7% të shpenzimeve të përgjithshme buxhetore nga 7% që zënë këtë vit. Kjo rritje reflekton shtimin e fondeve për administratën dhe menaxhimin e politikave publike.
Po ashtu, buxheti për mbrojtjen në vitin 2026 arrin në 43 miliardë lekë dhe do të zërë 4.9% të shpenzimeve totale nga 4.5% që zuri këtë vit në përputhje me angazhimet për modernizimin e Forcave të Armatosura dhe detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO. Një rritje e ngjashme vërehet edhe te rendi dhe siguria publike, ku fondet për vitin që vjen kapin një shifër prej 55,8 miliardë lekësh dhe zënë 6.3% të totalit të shpenzimeve buxhetore në 2026 nga 6.1% këtë vit.
Çështjet ekonomike, që përfshijnë investimet në infrastrukturë dhe mbështetjen për zhvillimin ekonomik, mbeten të qëndrueshme në rreth 9.4% të totalit të buxhetit. Ndërkohë, fondet për arsimin dhe shëndetësinë pësojnë ndryshime të vogla me tendencë rënie. Arsimi zë 8% të buxhetit në 2026 me financim 70 miliardë lekë, me një rënie të lehtë krahasuar me 8.1% në 2025, ndërsa shëndetësia mbetet në nivelin 9.2%, duke ruajtur peshën e saj në vitin që vjen njësoj si këtë vit.
Mbrojtja sociale, që përfshin pensionet dhe ndihmën ekonomike, mbetet zëri më i madh i buxhetit, me 27.3% të shpenzimeve në 2026, megjithëse ka një ulje të lehtë -0.4 pikë përqindje, krahasuar me një vit më parë edhe pse fondet për këtë zë u rritën. Shpenzimet e tjera të paklasifikuara ku përfshihen fondet kontigjencë dhe ato për interesat e borxhit etj janë programuar 194 miliardë lekë ose 21.9% të totalit të buxhetit 2026, nga 22.6% që janë këtë vit.
Në strukturën e shpenzimeve të buxhetit 2026, ndarja e fondeve për mbrojtjen e mjedisit dhe për çështjet e kulturës, argëtimit dhe fesë mbetet shumë modeste, duke treguar se këto fusha nuk zënë ende një vend prioritar në politikat publike të vendit. Sipas të dhënave, mjedisi përfiton vetëm 0.2% të totalit të buxhetit 202, një peshë shumë simbolike dhe shumë më e ulët se mesatarja europiane, ku fondet për mbrojtjen e mjedisit zakonisht variojnë midis 1.5 dhe 2% të buxheteve totale, dhe në disa vende arrijnë deri në 3%.
Gjithashtu fondet për argëtim, kulturë dhe çështje fetare zënë vetëm 0.8% të buxhetit, dhe dukshëm më i ulët krahasuar me BE-në, ku ky zë zakonisht luhatet rreth 2% të totalit të shpenzimeve publike. Kjo tregon se kultura dhe trashëgimia kulturore, megjithëse të rëndësishme për zhvillimin e turizmit, nuk trajtohen ende si një sektor me ndikim të drejtpërdrejtë ekonomik.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






