

Tiranë, 12 nëntor 2025 – Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, ka dhënë një paralajmërim të qartë për politikën shqiptare lidhur me ndërhyrjet e mundshme në sistemin e drejtësisë. I ftuar në emisionin “Top Story”, Gonzato deklaroi se çdo përpjekje për të prekur strukturat kushtetuese të drejtësisë do të komprometojë seriozisht shanset e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian.
“Themelet dhe arkitektura e qeverisjes nuk mund të preken, sepse pavarësia e gjyqësorit nga ekzekutivi dhe legjislativi duhet të respektohet. Përndryshe, ne humbasim arritjen më të rëndësishme që ka bërë Shqipëria,” u shpreh diplomati evropian.
Gonzato theksoi se megjithëse reforma në drejtësi e nisur në vitin 2016 mund të ketë nevojë për rishikime teknike, çdo ndërhyrje që cenon pavarësinë e institucioneve të drejtësisë do të shihet si hap prapa në procesin e integrimit.
“Mesazhi nga Brukseli është i qartë: nëse e prekni sistemin e drejtësisë, ju kompromentoni shanset për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian,” theksoi ambasadori, duke i bërë thirrje forcave politike të ruajnë stabilitetin institucional dhe të mos e përdorin reformën si mjet për qëllime afatshkurtra politike.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






