Transmetuar më 12-11-2025, 17:59

TIRANË- Kryeministri Edi Rama, deklaroi se 83 mandatet e Partisë Socialiste përbëjnë një detyrim për tu lidhur më ngushtë me qytetarët dhe për të adresuar shqetësimet e tyre konkrete. Gjatë takimit me banorët e Tiranës në Njësinë 5, Rama theksoi se bonusi i fundvitit për pensionistët do të jepet para festave, ashtu siç është premtuar. Kryeministri tha gjithashtu se sikur të marrësh të gjitha pagat e deputetëve komplet dhe t’i çosh në shtëpi është si një pikë në oqean, krahasuar me shumë për rritjen e pensioneve.

"Vendosëm që të jemi jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit. 83 mandatet kanë krijuar një ndjenjë të fortë detyrimi për të qenë sa më afër komuniteteve, në mënyrë që shqetësimet, hallet dhe problemet të adresohen. Më vej mirë të them që në projektin e 2026, kam parasysh këtu buxhetin e shtetit, ne kemi adresuar disa nga ato që janë probleme kyçe që ne kemi marrë në konsideratë që para zgjedhjeve.

Shumëkush i ka konsideruar si premtime për të marrë votën, disa fjalë boshe, por qysh në projektin që ne kemi depozituar, mund të duket konkretisht që shumë nga ato që ne kemi marrë përsipër janë atje me faturën për t’u mbajtur. Pjesa e luanit në buxhetin e shtetit shqiptar për të katërt vitet e ardhshme, sepse është bërë një punë e madhe dhe është pjesa që u takon pensionistëve.

Pensionistët e kanë dëgjuar shumë herë nga unë se sa e vështirë është që të rriten pensionet. Në fund të ditës kjo është çështje mundësie, se sa dëshire. Sikur të marrësh të gjitha pagat e deputetëve komplet dhe t’i çosh në shtëpi është si një pikë në oqean, krahasuar me shumë për rritjen e pensioneve. Kam dëgjuar një muhabet tjetër, që ne nuk do të japim bonuesin e fund vitit. Në radhë të parë bonusin do e marrin edhe këtë siç është premtuar, dhe do e marrin para Vitit të Ri. Bonusi është i angazhuar dhe kohën e përcaktuar do të fillojë shpërndarja para festave," tha Rama.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit