Transmetuar më 12-11-2025, 16:40

Një ditë pas shpalljes së PDK-së si partia më e votuar, Memli Krasniqi dorëhiqet: “Koha për një frymë të re në parti”

Vetëm një ditë pasi deklaroi se Partia Demokratike e Kosovës ishte konfirmuar si forca më e votuar në vend, Memli Krasniqi ka njoftuar dorëheqjen e tij nga posti i kryetarit të PDK-së, në një konferencë për media të mbajtur sot në selinë qendrore të partisë.

Në fjalimin e tij, Krasniqi e cilësoi vendimin si një “hap reflektimi dhe përgjegjësie”, duke theksuar se partia ka nevojë për një momentum të ri dhe frymë të re politike. Ai falënderoi qytetarët dhe anëtarët për mbështetjen gjatë dy dekadave të angazhimit të tij në politikë, duke kujtuar se rrugëtimi i tij nisi në vitin 2004 si aktivist i Rinisë Demokratike dhe arriti deri në drejtimin e partisë.

“Një parti që beson në zhvillim, duhet të besojë edhe në ripërtëritje,” – u shpreh Krasniqi, duke shtuar se një lidership që kërkon ndryshim për Kosovën, duhet të ketë guximin ta fillojë atë ndryshim nga vetja.

Ai njoftoi gjithashtu se ka thirrur Konventën e PDK-së për të hënën, më 17 nëntor, ku do të zgjidhet kryetari i ri i partisë.

Memli Krasniqi u zgjodh kryetar i PDK-së më 3 korrik 2021, pas dorëheqjes së Kadri Veselit, dhe më parë ka mbajtur poste ministrore në qeveritë e Kosovës. Ai largohet nga drejtimi i partisë, siç tha, “me paqe, mirënjohje dhe krenari”.

Në fund, ai përcolli një mesazh falënderimi: “Zoti e bekoftë PDK-në. Zoti e bekoftë Kosovën.”

Më herët dje, Memli kishte thënë se me 187,526 vota, PDK u konfirmua si partia më e votuar në Kosovë duke shtuar se "në katër prej ballafaqimeve direkte në balotazh me pushtetin qëndror, ne i fituam tri prej tyre". /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit