Transmetuar më 12-11-2025, 15:15

Ekzekutimi i Gilmando Danit në një nga zonat më të sigurta të vendit

Pamjet e regjistruara nga kamerat e sigurisë kanë zbuluar dinamikën e plotë të atentatit ndaj Gilmando Danit, i cili u ekzekutua të martën, më 11 nëntor 2025, pranë aeroportit “Nënë Tereza”.

Ngjarja, që ka ndodhur në më pak se një minutë, ka tronditur opinionin publik për shkak të mënyrës se si u krye – me një saktësi dhe qetësi profesionale, në një nga zonat më të mbikëqyrura të vendit, vetëm pak metra nga hyrja e aeroportit ndërkombëtar.

Sipas pamjeve që publikoi portali Shteg, autorët kanë ndjekur automjetin e Danit dhe në momentin që mjeti ndaloi, kanë hapur zjarr me breshëri.

Pasi makina e viktimës u bllokua, një prej atentatorëve ka zbritur, ka rimbushur armën dhe ka qëlluar sërish në drejtim të tij, ndërsa një tjetër e mbulonte nga pas.

Brenda pak sekondash, grupi i armatosur është larguar me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës. Dëshmitarë në vendngjarje tregojnë se pas atentatit, kalimtarët janë përpjekur të ndihmojnë personat brenda mjetit.

Në sediljen e pasagjerit u gjet pa shenja jete Gilmando Dani, 47 vjeç, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare, ndërsa Muçi Shaljani, drejtues i automjetit dhe agjent i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, u nxor nga makina me shenja jete dhe u dërgua menjëherë në spital.

Policia e Tiranës tha dje se atentati ndodhi rreth orës 14:20 dhe se grupi hetimor po punon për identifikimin e autorëve, të cilët ishin të maskuar dhe të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë.

Pamjet tregojnë gjithashtu se vetëm dy minuta pas ngjarjes, një autokolonë zyrtare kalon pranë vendit të atentatit – fakt që shton edhe më shumë shqetësimin për sigurinë dhe mbikëqyrjen e zonës.

Ky atentat, i kryer me profesionalizëm dhe gjakftohtësi, ngre pikëpyetje serioze mbi kontrollin e territorit dhe forcat e rendit, pasi ndodhi në një nga pikat më të ruajtura të vendit, në afërsi të aeroportit kryesor të Shqipërisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit