

TIRANA- Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Eduart Merkaj, është thirrur në një takim urgjent nga ministrja e Brendshme, Albana Koçiu. Takimi zhvillohet një ditë pas ngjarjes së rëndë në Rinas, ku mbeti i plagosur një punonjës i AMP-së, dhe ndërroi jetë nga të shtënat Gilmando Dani, pasagjer në makinën e agjentit.
Personi i plagosur është Muçi Shaljani Sheqeri, punonjës i AMP-së, i cili ndodhet në gjendje të rëndë për shkak të plagëve të marra pasditen e djeshme.
Si ndodhi ngjarja?
Atentati mafioz ndodhi mesditën e djeshme pranë pranë aeroportit të Rinasit, ku nga breshëria e plumbave u ekzekutua Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit dhe i plagosur mbeti Muçi Shaljani (Sheqeri). Dani dhe Shaljani po lëviznin me një Benz të bardhë luksoz, kur autorët me një tjetër makinë i zunë pritë dhe i qëlluan me breshëri plumbash.
Në makinën në pronësi të Elvis Kosovës shofer ishte Muçi Shaljani (punonjës i AMP) dhe Dani ishte pasagjer. Gilmando Dani kishte ardhur në Shqipëri nga Barcelona, por u ekzekutua vetëm disa minuta pasi kishte hipur në makinë. Pas atentatit, autorët dyshohet se janë larguar në drejtim të Fushë Krujës dhe kanë qenë me një mjet Toyota Yaris me targa greke. Vetëm pak minuta pas ngjarjes, makina e përdorur për vrasjen u gjet e djegur në fshatin Halil.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






