Transmetuar më 12-11-2025, 14:23

Operacioni “Perimetri” në Tiranë – 53-vjeçari kapet duke shitur lëndë narkotike pranë një shkolle 9 vjeçare dhe të mesme

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Perimetri”, duke goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të një institucioni arsimor ku gjenden një shkollë e mesme dhe një tjetër 9 vjeçare, raporton noa.al.

Sipas të dhënave zyrtare, pas hetimeve disa ditore, shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve kanë kapur në flagrancë shtetasin Bledi Çarçani, 53 vjeç, teksa po i shiste doza kanabisi një 15-vjeçari, në rrugën “Ymer Kurti”, pranë një shkolle të mesme në kryeqytet.

Gjatë kontrollit fizik dhe më pas në banesën e tij, u gjetën sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, një pjesë e ndarë në doza të gatshme për shitje, si dhe një telefon celular që përdorej për komunikime me blerësit.

Në përfundim të operacionit, 53-vjeçari u arrestua, ndërsa i mituri u procedua penalisht.

Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme ligjore. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit