Transmetuar më 12-11-2025, 04:36

Prokuroria e Tiranës ka finalizuar me dënime një hetim të gjatë për një skemë mashtruese fiskale që kishte për qëllim përfitimin e padrejtë të rimbursimeve të TVSH-së.

Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, u shpallën fajtorë 6 shtetas, mes tyre 2 italianë, si dhe 5 kompani, të përfshira në kontrata fiktive konsulence dhe qarkullime të rreme parash.

Skema mashtruese

Hetimi mbi procedimin penal nr. 252 të vitit 2021 zbuloi se shtetasit I.Q., E.B., A.D., S.C., S.C. dhe Z.K., në bashkëpunim me kompanitë “Sidec Alenergy”, “Primis”, “Gainsbourg”, “Al Nair Trading” dhe “CS International Consulting”, kishin ngritur një sistem të sofistikuar faturash dhe shërbimesh fiktive për të përfituar në mënyrë të paligjshme rimbursime të TVSH-së.

Sipas Prokurorisë, italiani A.D. ka qenë organizatori dhe përfituesi kryesor, ndërsa bashkëpunëtorët shqiptarë dhe italianë kishin rolet e ndihmësve, duke lëshuar fatura të rreme për “konsulenca juridike”. Në këtë mënyrë, kompanitë krijuan qarkullime të rreme për të justifikuar transaksione dhe për të shmangur detyrimet tatimore ndaj shtetit.

Vendimet e gjykatës

Gjykata shpalli fajtorë dhe dënoi:

A.D. (italian) – 4 vjet burg për “fshehje të të ardhurave” dhe “krijim të skemave mashtruese të TVSH-së”.

I.Q. – 3 vjet burg për “krijim të skemave mashtruese të TVSH-së”.

E.B. – 3 vjet burg për “mospagim taksash dhe tatimesh” dhe “krijim të skemave mashtruese”.

S.C. (italian) – 3 vjet burg për “krijim të skemave mashtruese” dhe “mospagim taksash”.

S.C. – 3 vjet burg për të njëjtat vepra.

Z.K. (kontabilist) – 180 orë punë në interes publik për “moskallëzim krimi”.

Ndërkohë, gjykata dënoi edhe kompanitë e përfshira me gjoba nga 1 milion deri në 1.5 milion lekë, përfshirë shoqëritë “Sidec Alenergy”, “Primis”, “Gainsbourg”, “Al Nair Trading” dhe “CS International Consulting”.

Fundi i një skeme milionëshe

Sipas Prokurorisë, kjo ishte një skemë e organizuar mirë ndërmjet individëve dhe bizneseve, me ndikim të ndërsjellë ndërkombëtar, që synonte përfitime të mëdha financiare në mënyrë të paligjshme. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e lidhjeve të tjera që mund të kenë përfituar nga ky aktivitet mashtrues. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit