Transmetuar më 12-11-2025, 12:16

Elbasan – Dy gra nga Kazakistani arrestohen për ushtrim prostitucioni, zbulohet rrjeti i apartamenteve me qira

Policia e Elbasanit ka finalizuar operacionin policor të koduar “Rented”, pas disa javësh hetime intensive me metoda proaktive, duke zbuluar një rast të ushtrimit të prostitucionit në qytet.

Sipas njoftimit zyrtar, operacioni është zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Në përfundim të hetimeve u arrestuan në flagrancë dy shtetase nga Kazakistani, përkatësisht Z. M., 37 vjeçe, dhe N. S., 38 vjeçe, të cilat ushtronin prostitucion në dy apartamente të marra me qira në Elbasan. Ndërkohë, është proceduar penalisht 39-vjeçarja M. C., pronare e apartamenteve, e cila dyshohet se ua kishte dhënë me qira objektet me dijeni për veprimtarinë e paligjshme.

Gjatë kontrolleve në banesat e përdorura për këtë qëllim, policia gjeti dhe sekuestroi shuma parash në valuta të ndryshme, dokumente identifikimi dhe telefona celularë, që dyshohen se janë përdorur për organizimin e aktivitetit.

Autoritetet njoftojnë se hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe dokumentimin e plotë të këtij rrjeti që vepronte përmes apartamenteve të marra me qira në qytet.

Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë së Elbasanit për veprime të mëtejshme ligjore. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit