

Elbasan, 12 nëntor 2025 – Pas disa javësh hetime të kryera me metoda proaktive, Policia e Elbasanit ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Rented”, duke goditur një rast të ushtrimit të prostitucionit në qytet.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në bashkëpunim me Seksionin për Mbështetjen Operacionale, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.
Si rezultat i veprimeve hetimore, u arrestuan në flagrancë dy shtetase nga Kazakistani, për veprën penale “Prostitucioni”. Bëhet fjalë për shtetaset Z. M., 37 vjeçe, dhe N. S., 38 vjeçe, të dyja me banim në Kazakistan, të cilat kishin marrë me qira dy apartamente në Elbasan, ku ushtronin këtë veprimtari të paligjshme.
Gjithashtu, është proceduar penalisht shtetasja M. C., 39 vjeçe, banuese në Elbasan, e cila dyshohet se iu kishte dhënë me qira apartamentet, për veprën penale “Mbajtja e ambienteve për prostitucion”.
Gjatë kontrolleve të kryera në dy ambientet e përmendura, shërbimet e Policisë sekuestruan shuma parash në valuta të ndryshme, celularë, si dhe dokumente identifikimi, të dyshuara se janë përfituar nga kjo veprimtari e jashtëligjshme.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin e plotë të aktivitetit kriminal dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






