

Tiranë, 12 nëntor 2025 – Detaje të reja kanë dalë në dritë pas atentatit të ndodhur një ditë më parë në kryeqytet, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos punonjësi i AMP-së, Muçi Sheqeri.
Një qytetar, i cili ndodhej pranë vendit të ngjarjes në momentin e sulmit, ka rrëfyer për Euronews Albania skenën tronditëse që pa me sytë e tij. Ai thotë se gjithçka ndodhi me shpejtësi dhe pa praninë e menjëhershme të forcave të rendit.
“Kur po kaloja, dëgjova të shtënat. U tremba dhe pashë kallashin që u përdor. Automjeti u ndal, një person u vra dhe tjetri u plagos. Për mua ishte si një film, jam i shokuar dhe i tmerruar. Policët mbërritën pas disa minutash,” – ka deklaruar dëshmitari.
Sipas burimeve nga grupi hetimor, autorët kanë qëlluar me breshëri automatike ndaj automjetit tip “Benz” me të cilin udhëtonin dy miqtë, që sapo ishin kthyer nga Barcelona. Hetimet paraprake dyshojnë për një atentat të mirëorganizuar me motive hakmarrjeje.
Policia vijon kontrollet në zonën ku ndodhi ngjarja, ndërsa janë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë përreth. Burime nga hetimi bëjnë me dije se është identifikuar edhe një person i dyshuar që ndodhej pranë skenës së krimit, i njohur nga banorët si “informatori me syze”.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






