

Atentati në Rinas – pesë persona të shoqëruar, policia ka në dorë pamjet filmike të ekzekutimit të Gilmando Danit
Hetimet po zhvillohen me intensitet. Policia ka sekuestruar mbi 30 kamera sigurie dhe po verifikon pistat që lidhen me grupet kriminale dhe lëvizjet e autorëve para atentatit
Tiranë – Hetimet për atentatin mafioz të ndodhur në zonën e Rinasit vijojnë me ritme të larta, ndërsa pesë persona janë shoqëruar deri më tani nga policia për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e rëndë ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos agjenti i AMP-së, Mustafa (Muçi) Shaljani Sheqeri.
Burime policore konfirmojnë se shoqërimet janë bërë mbrëmjen e djeshme dhe gjatë ditës së sotme, ndërsa hetimet po kryhen nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Policia e Shtetit po analizon pamjet e mbi 30 kamerave të sigurisë që ndodhen nga rrethrrotullimi i Rinasit deri në zonën e parkimit të aeroportit, përfshirë edhe kamerat e bizneseve përgjatë rrugës.
Sipas të dhënave hetimore, automjeti i viktimës është qëlluar me breshëri kallashnikovi, ndërsa më pas ka devijuar nga rruga, duke hyrë në krahun e kundërt të qarkullimit. Plumbat kanë përshkuar edhe një hotel aty pranë, duke rrezikuar kalimtarë dhe klientë.
Nga pamjet e sigurisë që janë sekuestruar, tre persona të armatosur kanë dalë nga një mjet dhe kanë qëlluar me gjakftohtësi të plotë drejt makinës ku ndodheshin Dani dhe Shaljani.
Njëri prej tyre, kur i është bllokuar arma, i ka kërkuar kallashnikovin bashkëpunëtorit, duke vijuar të qëllojë deri në momentin që viktima është neutralizuar.
Një burim i hetimit deklaron se “skena e krimit ka qenë e ftohtë dhe e planifikuar në detaje, si një togë pushkatimi”.
Pamjet filmike tregojnë se një prej atentatorëve i afrohet makinës së Danit me qetësi, duke vepruar në mënyrë “profesionale”.
Policia dyshon se autorët kanë pasur ndihmën e një informatori, i cili mund të ketë ndihmuar në përcjelljen e lëvizjeve të Danit dhe të mikut të tij. Ndërkohë, një automjet që dyshohet se ka ndjekur lëvizjet e viktimës është aktualisht në verifikim.
Pas ekzekutimit, autorët janë larguar në drejtim të Fushë-Krujës, ku më pas, në fshatin Halilaj, u gjet një makinë e djegur që dyshohet të jetë përdorur nga atentatorët.
Viktima Gilmando Dani, i njohur për drejtësinë si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, ishte përfshirë në disa çështje kriminale dhe kishte qenë shënjestër e dy atentateve të mëparshme.
Në momentin e ngjarjes, ai dhe miku i tij sapo ishin kthyer nga Barcelona, ku kishin udhëtuar më 7 nëntor, ndërsa automjetin e tyre e kishin parkuar në aeroportin e Rinasit.
Hetimet vijojnë në disa pista, ndërsa policia nuk përjashton mundësinë e hakmarrjeve të vjetra apo konflikteve mes grupeve rivale kriminale. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






