

Operacioni “Wrong Call” në Tiranë – zbulohet call center mashtrimi me bursa fiktive, arrestohen 3 persona dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë
Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Wrong Call”, duke zbuluar një ambient të përshtatur si call center në zonën e Selitës, ku mashtruesit telefononin shtetas të huaj dhe i bindnin të investonin në bursa të rreme online.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë ndërhyrjes në ambientin e dyshuar, u kapën në flagrancë 5 persona, të cilët kryenin aktivitetin e paligjshëm.
Në vijim, 3 prej tyre u arrestuan, ndërsa 2 të tjera u proceduan penalisht në gjendje të lirë, raporton noa.al.
Policia identifikoi gjithashtu dy persona të tjerë, të cilët kishin marrë me qira ambientin për këtë veprimtari mashtruese, dhe i shpalli ata në kërkim kombëtar.
Të arrestuarit:
Klaudio Sulejmëni, 25 vjeç, i dyshuar si menaxher i aktivitetit mashtrues;
Franko Karemani, 24 vjeç, punonjës;
Eriglen Arapi, 25 vjeç, punonjës.
Të proceduar në gjendje të lirë:
E. Sh., 22 vjeçe, punonjëse;
E. Z., 19 vjeçe, punonjëse.
Të shpallur në kërkim:
E. S., 34 vjeç, vëllai i Klaudio Sulejmëni;
A. K., 35 vjeç, bashkëorganizator i dyshuar.
Gjatë kontrollit, policia sekuestroi pajisje kompjuterike, telefona celularë dhe prova të tjera materiale, që përdoreshin për komunikimin me viktimat jashtë vendit.
Hetimet paraprake tregojnë se grupi operonte me skema të sofistikuara mashtrimi, duke kontaktuar shtetas të huaj përmes platformave online të investimeve dhe duke i joshur të dërgonin para në llogari të kontrolluara nga organizatorët.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për vijimin e hetimeve dhe ndjekjen penale të të gjithë personave të përfshirë. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






