

Një konflikt i nisur për motive të dobëta në lagjen “24 Maji” të Vlorës ka përfunduar me një person të plagosur me thikë dhe dy të arrestuar nga policia.
Sipas njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 10 nëntorit 2025, ku gjatë një përleshjeje mes disa personave, shtetasi E. L., 32 vjeç, ka goditur me thikë në kraharor dhe në qafë shtetasin Bledar Skënderaj, 30 vjeç.
I plagosuri është transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën kujdesin e mjekëve.
Pak pas ngjarjes, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Vlorë, organizoi operacionin për kapjen e autorëve.
Si rezultat, u arrestuan në flagrancë:
E. L., 32 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje”, “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”;
A. L., 23 vjeç, banues në të njëjtën lagje, për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzim i krimit”.
Hetimet treguan se konflikti mes palëve kishte nisur më herët, por nuk ishte denoncuar në polici. Përshkallëzimi i tij solli përplasjen fizike dhe plagosjen e 30-vjeçarit.
Gjatë kontrolleve në banesat dhe automjetet e të arrestuarve, policia sekuestroi:
një armë gjahu pa leje dhe një thikë, e dyshuar si mjeti i përdorur në krim, në shtëpinë e E. L.;
një thikë tjetër në automjetin e A. L., me të cilin ky kishte transportuar të plagosurin drejt spitalit.
Materialet iu dorëzuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë për vijimin e hetimeve dhe procedurat ligjore. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






