Transmetuar më 11-11-2025, 22:13

Trupi i djegur në Skurta të Greqisë – 27-vjeçari shqiptar Sulo Halili. Hetuesit po ndjekin pistën e një gruaje misterioz. Më herët Sulo ishte shpallur zyrtarisht i zhdukur nga policia greke

ATHINË – Autoritetet greke kanë konfirmuar se trupi i karbonizuar i gjetur në një zonë të shkretuar pranë fshatit Skurta, në Vojoti, i përket Sulo Halilit, 27 vjeç, me origjinë shqiptare dhe banues në Halkidë. I riu ishte shpallur i zhdukur vetëm një ditë para se të identifikohej si viktima e ngjarjes makabre që ka tronditur opinionin në Greqi.

Sipas njoftimit të “Silver Alert”, Halili ishte larguar nga banesa e tij më 4 nëntor, pasdite, me automjetin personal dhe nuk ishte kthyer më.

Në publikimin zyrtar të policisë thuhej se ai kishte flokë të shkurtër ngjyrë kafe të errët, sy kafe, mjekër dhe mustaqe, me gjatësi rreth 1.70 metra, dhe tatuzh tip “mangë” në krahun e majtë, me dy trëndafila, një yll dhe shkronja.

Në ditën e zhdukjes, 27-vjeçari kishte veshur bluzë të zezë, pantallona të zeza tip cargo dhe këpucë sportive të bardha.

Policia greke njoftoi se automjeti i tij u gjet në zonën e Vilias, në Atikë, pak ditë pas zhdukjes, ndërsa familja kishte njoftuar autoritetet më 9 nëntor, duke kërkuar ndihmën e organizatës (Linja e Jetës), e cila më pas aktivizoi alarmimin kombëtar Silver Alert, pasi “jeta e tij mund të ishte në rrezik”.

Sot, pas analizave të ADN-së dhe ekzaminimit mjeko-ligjor, autoritetet konfirmuan se trupi i djegur në makinën e gjetur në Skurta është pikërisht Sulo Halili, 27 vjeç.

Hetimet kanë zbuluar se automjeti ishte i vjedhur nga Glifada dhe kishte targa të falsifikuara, ndërsa në trupin e viktimës është gjetur një plumb arme zjarri, duke konfirmuar se Halili ishte qëlluar përpara se të digjej.

Policia greke po vijon hetimet për të zbardhur rrethanat e krimit dhe identitetin e autorëve, ndërsa në qendër të hetimeve mbetet pista e një gruaje misterioze, me të cilën i riu kishte kontaktuar në rrjetet sociale pak para zhdukjes së tij.

Të rejat e fundit për ngjarjen që ka tronditur Vojotinë.

Pak ditë më parë në një zonë të shkretuar pranë fshatit Skurta u gjet një automjet i djegur, brenda të cilit ndodhej një trup i karbonizuar. Pas analizës së ADN-së, autoritetet kanë konfirmuar se viktima është Sulo Halili, një 27-vjeçar shqiptar, banues në Halkidë, i cili ishte shpallur i zhdukur më 4 nëntor.

Zbulimi tronditës

Hetimet e para tregojnë se automjeti ishte i vjedhur nga zona e Glifadës, ndërsa kishte targa false, të vendosura nga autorët për të shmangur gjurmët.

Ekspertiza mjeko-ligjore zbuloi një objekt metalik në trupin e viktimës, që më pas rezultoi të ishte plumb arme zjarri, çka tregon se i riu ishte qëlluar përpara se të digjej – një përpjekje e qartë për të fshehur gjurmët e vrasjes dhe identitetin e tij.

Pista e gruas misterioze

Sipas të afërmve të viktimës, 27-vjeçari kishte pasur kontakt me një grua përmes rrjeteve sociale pak ditë para zhdukjes. Kjo grua mbetet në qendër të hetimeve, pasi besohet se mund të ketë shërbyer si kurth për ta tërhequr viktimën në zonën ku më pas u gjet i djegur.

Hetuesit po verifikojnë të gjitha komunikimet e tij në rrjetet sociale dhe celularin e fundit që ka përdorur, ndërsa dyshojnë për lidhje të mundshme me grupe kriminale që merren me trafik droge ose armësh, megjithëse i riu nuk kishte precedent penal dhe nuk kishte qenë kurrë nën hetim më parë.

Rrethanat e zhdukjes

Më 4 nëntor, viktima kishte njoftuar familjarët se do të udhëtonte drejt Thivës me një mik, të cilin më pas e la në qytet, duke i thënë se do të vazhdonte për në Vilia të Atikës për “një punë personale”. Dy ditë më vonë, automjeti i tij u gjet i braktisur, ndërsa pas disa ditësh u zbulua mjeti i djegur me trupin brenda.

Familja kishte njoftuar menjëherë autoritetet dhe për të ishte aktivizuar sinjalizimi “Silver Alert”. Ai ishte i martuar dhe në ditën e zhdukjes kishte telefonuar bashkëshorten për ta lajmëruar se kishte mbërritur në destinacion.

Hetimet

Sipas policisë, rasti ka karakter mafioz. Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që viktima të jetë përdorur ose tradhtuar në një marrëveshje të paligjshme. Një e afërme e tij ka pohuar se 27-vjeçari kishte pasur konflikt me një bashkatdhetar për shkak të një vajze, por mënyra e ekzekutimit tregon se ngjarja është planifikuar me kujdes dhe përfshin persona me përvojë kriminale.

Autoritetet greke kanë nisur një cikël të ri hetimesh, duke kërkuar ndihmën e Interpolit dhe duke analizuar kamerat e sigurisë në Thivë dhe Vilia, për të rindërtuar lëvizjet e fundit të 27-vjeçarit dhe për të zbuluar identitetin e gruas misterioze që mund të ketë luajtur një rol kyç në këtë vrasje makabre. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit