
























Ndryshimi i papritur i Gilmando Danit pas daljes nga burgu dhe fejesa me një arkitekte me profil të ulët
Atentati i përgjakshëm i së martës në afërsi të Aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani, 47 vjeç, ka tronditur opinionin publik dhe botën e nëndheshme në Tiranë. Dikur i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, Dani u ekzekutua në një nga zonat më të sigurta të vendit, sapo kishte mbërritur nga jashtë.
Pas daljes nga burgu në tetor të vitit 2024, ku kishte shlyer një dënim 12-vjeçar për shantazh dhe gjobëvënie ndaj biznesmenit Ylvi Beqja, Dani kishte pësuar një ndryshim të madh në pamje dhe mënyrën e jetesës. Burime pranë tij thonë se kishte zgjedhur të mbante një profil të ulët publik, larg vëmendjes mediatike dhe rrethit të dikurshëm të grupit “Shullazi”.
Djali i njohur dikur për fizikun e imët dhe tiparet e theksuara, ishte transformuar dukshëm pas daljes nga qelia — më i shëndoshë, me flokë të rralluar dhe me një qëndrim më të matur. Ai thuhet se kishte marrë drejtimin e mbetjeve të strukturës së vjetër, por njëkohësisht përpiqej të ndërtonte një jetë të re.
Sipas burimeve, Gilmando Dani ishte fejuar me një arkitekte, një vajzë me profil të ulët publik, e cila nuk kishte lidhje me botën e krimit dhe e kishte inkurajuar të qëndronte larg konflikteve të së kaluarës. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për t’u distancuar, e kaluara e ndjeki edhe pas lirisë.
Një detaj që ka ngritur pikëpyetje për hetuesit është se shoferi i tij ishte një punonjës i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) – institucioni që ka në kompetencë kontrollin e veprimtarisë së policisë. Ky fakt ka shtuar dyshimet se Dani mund të kishte ruajtur lidhje të forta në struktura të rëndësishme shtetërore.
Fotografia e fundit e tij daton nga momenti kur aplikoi për pasaportë biometrike, menjëherë pas lirimit në vitin 2024. Ndërsa pamjet e fundit publike ku ai shihet në media janë ato të vitit 2015, gjatë gjyqit maratonë të grupit të Shullazit, ku qëndronte gjithmonë krah Emiljano Shullazit – një kujtim i një epoke të errët të krimit në kryeqytet, që përfundoi me atentatin e përgjakshëm në Rinas.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






