Transmetuar më 11-11-2025, 21:04

Koalicioni Shqiptar pro Familjes dhe Jetës ka dorëzuar në Presidencë një kërkesë zyrtare për mosdekretimin e ligjit “Për Barazinë Gjinore”, i miratuar në Kuvend pesë ditë më parë me 77 vota pro dhe 36 kundër.

Sipas këtij koalicioni, ligji është “antifamilje dhe antishqiptar”, pasi, siç pretendojnë ata, “dehumanizon shqiptarët dhe synon të indoktrinojë fëmijët përmes ideologjisë gjinore në shkolla”.

Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesit e koalicionit thanë: “Ligji për Barazinë Gjinore është antiliri dhe antifamilje. Presidenti është hallka e fundit që ka të drejtë ta ndalojë këtë ligj. I kërkojmë të mos e dekretojë këtë nismë që, sipas nesh, cenon familjen, lirinë dhe vlerat tradicionale shqiptare.”

"Ligji për Barazinë Gjinore është antiliri, ligji që fatkeqësisht kaloi me 77 vota në parlament. Presidenti është hallka e fundit që institucionalisht ka të drejtë të mos e dekretojë këtë ligj.

Pra, sjellim para tryezës presidenciale një kauzë, kauzën e familjes, të Shqipërisë. President, mos dekreto ligjin antifamilje, antiliri, antiZot, ligjin për censurën, dehumanizimin e shqiptarëve e që do indoktrinojë fëmijët shqiptarë nëpërmjet ideologjisë gjinore në shkolla", deklaruan përfaqësues të koalicionit.

Qeveria thotë se ky ligj është pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Evropian, dhe synon të përmirësojë ligjin e vitit 2008, duke garantuar barazi të plotë mes grave dhe burrave në të gjitha fushat e jetës.

Sipas dokumentacionit shoqërues, ligji i ri është harmonizuar me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e Komisionit Evropian, që ka kërkuar miratimin e tij brenda vitit 2025 si pjesë të hapjes së kapitujve themelorë të negociatave për anëtarësim.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit