Transmetuar më 11-11-2025, 19:51

Pas më shumë se shtatë muajsh nga ngjarja që tronditi Italinë dhe Shqipërinë, autori i dyshuar i vrasjes së 22-vjeçares Ilaria Sula, do të përballet për herë të parë me drejtësinë.

Të mërkurën, në Seksionin e Tretë të Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tribunalin e Romës, pritet të nisë gjyqi ndaj Mark Antony Samson, i riu filipinas që ka pranuar se vrau ish-të dashurën e tij shqiptare.

Ngjarja e rëndë ndodhi në fund të muajit mars dhe tronditi opinionin publik në të dy vendet. Sipas hetimeve, e reja u qëllua me thikë në apartamentin e familjes së Samsonit në Romë, ndërsa më pas trupi i saj u vendos në një valixhe dhe u braktis në një zonë shkëmbore në periferi të kryeqytetit italian.

Prokuroria e akuzon Samsonin për vrasje me paramendim, me rrethana rënduese që lidhen me marrëdhënien sentimentale me viktimën, si dhe për fshehje të trupit.

Ndërkohë, nëna e Samsonit do të dalë para gjykatës më 28 nëntor, pasi dyshohet se ka ndihmuar të birin në fshehjen e kufomës. Për të është kërkuar një dënim prej dy vitesh burg, i cili do të shqyrtohet në seancën paraprake dëgjimore.

Në seancën e nesërme, pritet që gjykata të shqyrtojë kërkesat për pranimin e palëve civile. Përveç familjes së vajzës, që përfaqësohet nga avokati Giuseppe Sforza, kërkesë për t’u përfshirë në proces kanë paraqitur edhe Universiteti “La Sapienza”, ku studionte Ilaria, si dhe disa shoqata që mbrojnë viktimat e dhunës ndaj grave.

Prindërit e 22-vjeçares, Flamuri dhe Gezime Sula, kanë mbërritur në Romë së bashku me avokatin e tyre për të ndjekur seancën e parë. Ata janë shprehur se, pavarësisht dhimbjes, besimi se drejtësia do të vihet në vend është i vetmi ngushëllim që i mban të fortë. Në sallë do të jenë të pranishëm edhe të afërm të tjerë që kanë udhëtuar nga Terni për të ndjekur procesin.

Seanca e parë do të shënojë fillimin e një gjyqi të gjatë e të ndjeshëm, ku do të rindërtohen orët e fundit të jetës së Ilaria Sulas, një histori tragjike që ka lënë gjurmë të thella në opinionin publik italian dhe shqiptar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit