Transmetuar më 11-11-2025, 19:35

Zbardhen detaje të reja tronditëse nga atentati i ndodhur mesditën e kësaj të marte pranë aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani (i njohur dhe si Muç Sheqeri).

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se autorët e kanë pritur targetin para hyrjes së aeroportit, duke lëvizur paralelisht me makinën Benz ku ndodheshin Dani dhe Shaljani.

Në momentin që mjetet u afruan, autorët hapën zjarr me breshëri automatike, duke qëlluar drejtpërdrejt në drejtim të viktimave.

Muçi Shaljani Sheqeri

Mjeti Benz arriti të lëvizte edhe për disa metra, por ndaloi pas dëmtimeve të shumta nga plumbat. Në atë çast, njëri prej autorëve, i cili dyshohet të ketë mbajtur kapele dhe maskë, zbriti nga makina dhe iu afrua automjetit të goditur, duke qëlluar disa herë nga afër me pistoletë për t’u siguruar që viktima të mos mbijetonte.

Pas ekzekutimit, autori u rikthye menjëherë në automjetin e bashkëpunëtorëve, dhe u larguan me shpejtësi në drejtim të Fushë-Krujës, ku më vonë u gjet një makinë e djegur, e dyshuar se u përdor nga autorët e atentatit.

Policia ka ngritur pika të shumta kontrolli dhe po vijon hetimet për të identifikuar personat e përfshirë, ndërsa pista kryesore lidhet me larje hesapesh mes grupeve kriminale të njohura në Tiranë dhe Durrës.

Atentati në Rinas – dy të shënjestruarit sapo ishin kthyer nga jashtë

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin e rëndë që tronditi mesditën e kësaj të marte zonën pranë Aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani.

Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se automjeti i goditur nuk ishte i blinduar, por kishte xhama të mbështjellë me material plastik të fortë, i cili e pengonte thyerjen e menjëhershme nga breshëria e plumbave. Në momentin e atentatit, në timon ndodhej Muçi Shaljani, ndërsa Dani ishte pasagjer në automjet.

Të dy personat ishin kthyer sot nga jashtë shtetit, pasi kishin udhëtuar më 7 nëntor, ndërsa makinën e kishin lënë të parkuar në parkingun e aeroportit. Dyshohet se autorët mund të kenë pasur informacione të sakta për lëvizjet e tyre dhe i kanë ndjekur që nga momenti i mbërritjes.

Ndërkohë, në afërsi të vendngjarjes është gjetur një automjet i djegur, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët. Sipas burimeve policore, brenda mjetit mund të ketë armë zjarri, por efektivët nuk janë afruar ende për shkak se nga zjarri ka shpërthime plumbash.

Forcat e RENEA-s dhe zjarrfikësit ndodhen në terren, ndërsa ekspertët e kriminalistikës po presin fikjen e plotë të flakëve për të kryer ekzaminimin e automjetit dhe për të siguruar provat që mund të çojnë në identifikimin e autorëve. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit