

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin e rëndë që tronditi mesditën e kësaj të marte zonën pranë Aeroportit të Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani (i njohur dhe si Muç Sheqeri).
Burime nga vendi i ngjarjes bëjnë me dije se automjeti i goditur nuk ishte i blinduar, por kishte xhama të mbështjellë me material plastik të fortë, i cili e pengonte thyerjen e menjëhershme nga breshëria e plumbave.
Në momentin e atentatit, në timon ndodhej Muçi Shaljani, ndërsa Dani ishte pasagjer në automjet.

Të dy personat ishin kthyer sot nga jashtë shtetit, pasi kishin udhëtuar më 7 nëntor, ndërsa makinën e kishin lënë të parkuar në parkingun e aeroportit.

Dyshohet se autorët mund të kenë pasur informacione të sakta për lëvizjet e tyre dhe i kanë ndjekur që nga momenti i mbërritjes.

Ndërkohë, në afërsi të vendngjarjes është gjetur një automjet i djegur, i cili dyshohet të jetë përdorur nga autorët. Sipas burimeve policore, brenda mjetit mund të ketë armë zjarri, por efektivët nuk janë afruar ende për shkak se nga zjarri ka shpërthime plumbash.
Forcat e RENEA-s dhe zjarrfikësit ndodhen në terren, ndërsa ekspertët e kriminalistikës po presin fikjen e plotë të flakëve për të kryer ekzaminimin e automjetit dhe për të siguruar provat që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Hetimet po vijojnë intensivisht në disa pista, përfshirë hakmarrjen dhe konfliktet e vjetra mes grupeve kriminale të njohura në Tiranë dhe Durrës.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






