

Në foto: Gilmando Dani, fotografi e policisë së Tiranës, pas shoqërimit në komisariat
Atëherë 33 vjeç, Gilmando Dani, i njohur në Tiranë si mik i Emiljano Shullazit, u bë objekt i një tjetër atenati që ndodhi më 25 maj 2011.
Dani u plagos me armë zjarri duke marrë një plumb në këmbë teksa ishte pranë banesës së tij në kryeqytet.
Pasi mori mjekim ai arriti të shpëtojë.
Më herët Dani ishte arrestuar dy herë nga policia shqiptare
Çfarë ndodhi më 2011
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 25 majit 2011 rreth orës 21:30, në zonën e “21 Dhjetorit” në Tiranë, në afërsi të banesës së Gilmando Danit.
Gilmando Dani moro një plumb në këmbë dhe u dërgua në spital pa rrezik për jetën.
Pas ngjarjes ai u mor në pyetje nga policia dhe mediat raportuan atë kohë se ai kishte pohuar se i është bërë atentat në lagjen ku banon.
Ai tha se po kthehej në banesën e tij në zonën e “21 Dhjetorit” kur një makinë i është afruar fare pranë dhe nga brenda saj është qëlluar me armë.
Gilmando Dani ka thënë në dëshminë e tij se nuk ka arritur të fiksojë targën e automjetit apo personat që e qëlluan me armë për shkak se sapo kishte marrë plumbin ishte rrëzuar përtokë.
Kush ishte Dani
Gilmando Dani, 47 vjeç, ndonëse nuk ka mbi supe akuza të rënda nga policia, është konsideruar si person me precedentë penalë për shkak të ekspozimit të tij të përsëritur në episode të përbashkëta me Emiljano Shullazin.
Po kështu, banesa e Gilmando Danit u kontrollua në gusht 2009, pas vrasjes së katër efektivëve të policisë në Durrës nga Dritan Dajti.
Kontrolli në banesën e Gilmando Danit u bë nën dyshimet se ai mund të kishte qenë në Durrës atë ditë, por më pas policia sqaroi se ai ka qenë në Tiranë, edhe pse nuk ishte gjetur në banesë në momentin e kontrollit.
Në gusht 2009, në kuadër të hetimit për masakrën në Durrës, Prokuroria e Krimeve të Rënda i bllokoi pasaportën për disa ditë Gilmando Danit.
Po kështu, më 23 prill 2011, gjatë fushatës elektorale, Gilmando Dani u shoqërua në Policinë e Tiranës pasi ndodhej në vendin e ngjarjes ku Emiljano Shullazi pengoi një miting të Partisë Socialiste në Njësinë Bashkiake Nr. 7 në kryeqytet.
Deputetja e PS-së, Vasilika Hysi, kërkoi ndërhyrjen e policisë, e cila ndaloi Shullazin dhe shoqëroi Gilmando Danin.
Megjithatë, precedenti i parë zyrtar i Gilmando Danit daton më 11 shkurt 2006, kur ai ra në prangat e policisë pasi ishte shpallur në kërkim për shkak të dënimit në mungesë të dhënë ndaj tij me një vit burg për akuzat “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “kanosje në bashkëpunim”.
Arrestimi ndodhi nga forcat speciale të policisë, RENEA, të cilat, bashkë me Gilmando Danin vunë në pranga edhe shtetasit Emiljano Shullazi dhe D. Hate.
Gjatë këtij aksioni të 2006 kur Dani ishte 27 vjeç, policia sekuestroi një sasi të konsiderueshme armësh dhe municionesh, përfshi pistoleta automatike tip “Skorpions” me silenciator, dy automatikë prodhim kroat e kallashnikov, radio komunikimi me distancë të afërt, radio përgjuese të valëve të strukturave të Policisë (në Tiranë dhe rrethe), fenelinë policie, dylbi speciale për shikim natën, dylbi të zakonshme si dhe maska, doreza dhe pajisje të tjera kamuflazhi.
Më 8 nëntor 2011, policia shoqëroi Emiljano Shullazin atëherë 32 vjeç dhe Gilmando Danin pasi te rruga e Kavajë gjatë një kontrolli u gjet një armë pa leje, pistoletë, si dhe thika dhe me disa maska.
Në muajin Prill, Emiljano Shullazi përfundoi sërish në polici si autori i dyshuar për pengim të subjekteve për zgjedhjet në organet përfaqësuese, pas kallëzimit të depozituar, nga dy deputetët e Partisë Socialiste për një incident në rrugën “Ylbere Bylykbashi”, në Tiranë, në ambientet e një lokali ku po zhvillohej takimi elektoral i Kandidatit për Minibashkinë Nr.7 në Tiranë, Erion Koka.
Gilmando Dani ka qenë i arrestuar në vitin 2006 për trafik armësh e droge në Tiranë, kur u kap së bashku me Emiljano Shullazin.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






