

Personi që humbi jetën në atentatin e ndodhur këtë të martë në afërsi të Aeroportit të Rinasit është identifikuar si Gilmando Dani, një emër i njohur për autoritetet ligjzbatuese.
Dani njihej si “krahu i djathtë” i Emiljano Shullazit, një prej personazheve më të përfolur të botës së krimit në vend.
Ai ka qenë më parë i dënuar për veprimtari kriminale dhe është përmendur në disa dosje hetimore që lidhen me grupin e Shullazit.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën që lidh zonën e Rinasit me qendrat përreth, kur një automjet në lëvizje hapi zjarr ndaj makinës ku udhëtonte Dani, së bashku me një tjetër person, i cili mbeti i plagosur. Viktima ka ndërruar jetë menjëherë si pasojë e plagëve të marra, ndërsa i plagosuri është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve
Rinas/Informacion paraprak nga policia
Rreth orës 14:20, te rrethrrotullimi në afërsi të aeroportit, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri drejt automjetit me të cilin po lëviznin shtetasit M. Sh., rreth 40 vjeç dhe G. D., rreth 47 vjeç.
Si pasojë ka humbur jetën shtetasi G. D. dhe është plagosur shtetasi M. Sh., i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, në gjendje të rëndë shëndetsore.
Shërbimet e Policisë kanë rrethuar zonën, kanë ngritur pika kontrolli dhe vijojnë punën për kapjen e autorit/ëve.
Ndërkohë, grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Policia ka ngritur disa pika kontrolli në drejtim të Fushë-Krujës, ku dyshohet se janë larguar autorët pas ngjarjes. Po ashtu, po verifikohen kamerat e sigurisë në zonë për të rindërtuar itinerarin e automjeteve të përfshira.
Hetimet po drejtohen nga Prokuroria e Tiranës, e cila po punon për të zbuluar motivin e atentatit dhe lidhjet e mundshme me konfliktet e vjetra të grupeve kriminale të njohura në kryeqytet. /noa.al
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






