

Tiranë, 11 Nëntor 2025
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ashpër pas vendimit të mazhorancës për të përjashtuar për 10 ditë nga punimet e Kuvendit kryetarin e PD-së, Sali Berisha. Bardhi e ka cilësuar këtë vendim si një akt të paprecedent, në kundërshtim me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.
Në reagimin e tij, Bardhi tha se mazhoranca socialiste po e shndërron Kuvendin në një organ njëpartiak, ku rregulli dhe ligji shkelen hapur. “Në një akt të paprecedent, pa kryer asnjë shkelje të Rregullores së Kuvendit, mazhoranca ka marrë një vendim për të penguar për 10 ditë kryetarin e opozitës, z. Sali Berisha, të ushtrojë përgjegjësitë e tij në raport me qytetarët në Kuvendin e Shqipërisë”, u shpreh Bardhi.
Sipas tij, ky vendim është antikushtetues dhe dëshmi e qartë se deputetët e mazhorancës i shërbejnë interesave politike të kryeministrit Edi Rama. “Kjo është hera e parë në historinë e pluralizmit në vend, ku një deputet, pa kryer asnjë shkelje të Rregullores, pengohet të ushtrojë funksionin e tij, vetëm se ka shprehur lirisht mendimin e tij mbi një projektligj të kundërshtuar nga shoqëria shqiptare,” shtoi Bardhi.
Ai theksoi se vendime të tilla përbëjnë censurë ndaj opozitës dhe dhunim të të drejtave demokratike. “Akte të tilla synojnë të frikësojnë të vërtetën, por do të dështojnë. Opozita nuk do ta pranojë dhe as do ta lejojë një degradim të tillë. Çdo provokimi të tillë, deputetët e opozitës do t’i përgjigjen në mënyrë proporcionale,” përfundoi Bardhi.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






