

Tiranë, 11 Nëntor 2025
Ministrja e Brendshme, Albana Koçiu, ka deklaruar se monopatinat kanë qenë shkaktare të mbi 1 mijë aksidenteve në vend, sipas të dhënave të Policisë së Shtetit. Gjatë fjalës së saj në Komisionin për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes, Koçiu njoftoi se shumë shpejt do të prezantohen rregullat e reja për përdorimin e tyre, të cilat më pas do të kalojnë në Kuvend.
“Sa i përket sigurisë rrugore, në nëntëmujorin e parë të këtij viti është vërejtur një trend ulës. Në vitin 2024 u regjistruan 155 jetë të humbura nga aksidentet rrugore, ndërsa këtë vit kemi një ulje me 17%. Për monopatinat elektrike, janë regjistruar mbi 1 mijë aksidente gjatë nëntëmujorit. Monopatinat janë rrezik për qytetarët, ndaj ndërhymë për t’i pezulluar dhe për të krijuar një bazë ligjore që përcakton mënyrën e qarkullimit sipas standardeve të sigurisë”, deklaroi ministrja.
Ajo shtoi se mjetet e tilla janë ende të parregulluara në legjislacion dhe se disa vende të tjera kanë ndërmarrë të njëjtin hap derisa të hartohet një kuadër i plotë ligjor. “Ne po punojmë për rregullimet përkatëse dhe shumë shpejt do t’i paraqesim rregullat në komisione dhe në Kuvend, në mënyrë që përdorimi i tyre të jetë i normuar,” tha Koçiu.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






