

Policia ka arrestuar sot dy persona në qytetin e Korçës.
Ata u arrestuan nga forcat blu, pasi iu gjetën lëndë narkotike kokainë dhe kanabis. Fillimisht policia arrestoi një 25-vjeçar, pasi u kap me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, e cila ishte e ndarë në doza.
25-vjeçari u kap në fshatin Zëmblak, ndërsa dyshohet se sasinë e kokainës e kishte bërë gati për shitje.
Më pas në pranga ra edhe një 20-vjeçar, të cilit iu gjet një sasi e konsiderueshme lënde narkotike kanabis.
Policia ka shoqëruar dy të arrestuarit drejt ambienteve të komisariatit, ndërsa po heton më shumë mbi rastet.
Njoftimi:
"Gjatë mbrëmjes së djeshme, policia në bazë të informacioneve, ka arrestuar një 25 vjeçar me inicialet S.D. pasi i është gjetur një sasi lënde narkotike e dyshuar kokainë, të cilën e kishte të ndarë në doza. 25 vjeçari u kap në fshatin Zëmblak ndërsa dyshohet se sasinë e kokainës e kishte bërë gati për shitje. Gjatë aksionit policor, u kap po ashtu edhe një mjet ku drejtuesit 20 vjeçar me iniciale A.T. iu gjet një sasi e konsiderueshme lënde narkotike kanabis.
Në momentin e ndalimit nga policia, në mjet ka qenë edhe një shtetas tjetër i cili tentoi të largohej me vrap por u kap nga shërbimet e policisë. Lënda narkotike u gjet brenda mjetit të 20 vjeçarit, i cili po ashtu dyshohet se do të bënte shpërndarjen e drogës. 20 vjeçari ra në pranga ndërsa personi tjetër që ishte në makinë dhe tentoi të largohej, u procedua në gjendje të lirë. Aksioni i mbrëmjes së djeshme u finalizua nga sektori i antidrogës në DVP Korçë, ndërsa mësohet se u kryen edhe kontrolle banesash dhe u bë sekuestrimi i lëndës narkotike të kapur në të dyja rastet si edhe telefona celularë. Hetimet vazhdojnë nga policia dhe prokuroria.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






