Transmetuar më 10-11-2025, 22:09

Sali Berisha thirret në SPAK për çështjen “21 Janari” – pritet të dëshmojë më 14 nëntor

Ish-kryeministri Sali Berisha është thirrur nga SPAK për të dhënë deklarime në lidhje me ngjarjen tragjike të 21 janarit 2011, ku humbën jetën katër protestues. Thirrja është bërë në kuadër të dosjes nr. 138, që lidhet me hetimet e rihapura mbi këtë çështje.

Burime bëjnë me dije se thirrja e parë ndaj Berishës është bërë më 3 nëntor:

“Për nevoja të hetimit, me urdhërin e datës 03.11.2025 "Për thirrjen e shtetasit", është urdhëruar thirrja e shtetasit Sali Berisha, i biri i Ramë dhe Shiqere, i datëlindjes 15.10.1944, me kombësi dhe shtetësi shqiptare, lindur në Tiranë dhe banues në Rruga "Mustafa Matohiti Ndërtesa nr. 36, Hyrja nr. 1. Njësia Bashkiake nr. 2 Tiranë, me numër personal E40701031R, për tu paraqitur në Prokurorinë e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me qëllim pyetjen e tij me cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, në lidhje me procedimin penal nr.138 të vitit 2024, konkretisht për rrethanat e hetimit që kanë të bëjnë me ngjarjen e datës 21 Janar 2011”.

Ndërsa sot është lëshuar sërish thirrje për t’u paraqitur ditën e premte, më 14 nëntor 2025, në orën 10:00 në ambientet e SPAK-ut. Ai është thirrur në cilësinë e deklaruesit, për të dhënë versionin e tij mbi ngjarjet e asaj dite.

Berisha ka deklaruar publikisht se është i gatshëm të paraqitet dhe se është i interesuar që çështja të zbardhet plotësisht. “Unë kam qenë dhe mbetem i interesuar për të vërtetën,” – është shprehur ai.

“Personalisht nuk kam marrë asnjë fletëthirrje, për faktin e thjeshtë se Alfred Greca, ua jep gazetarëve para se të ma çojë mua. Nuk kam asnjë problem. Unë jam njeriu që ka kërkuar më shuëm se kushdo tjetër hetimin e atyre ngjarjeve tragjike. Unë kam kërkuar hetim, prokuror ndërkombëtar. Nga 2013 që prokurorinë e ka në dorë Edi Rama, hetimin e ka penguar ai. Vetëm Edi Rama e ka penguar hetimin. Sali Berisha ka kërkuar prokuror ndërkombëtar, ka kërkuar hetim, ka deklaratat e SHBA, kur Steinberg erdhi këtu, kërkuan hetimin nga polici tek organizatori. Organizatorin e kanë me dokumente se kush është. Unë shkoj në çdo thirrje. Jam i hapur të hetohet kjo ngjarje”, u shpreh Berisha.

Nga ana tjetër, avokati mbrojtës Genci Gjokutaj ka thënë për mediat se nuk ka marrë ende asnjë njoftim zyrtar nga SPAK lidhur me këtë thirrje.

Hetimet për 21 janarin janë rihapur pas vendimeve të reja gjyqësore dhe interesimit të opinionit publik për zbardhjen e plotë të ngjarjeve që tronditën vendin. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit