Transmetuar më 10-11-2025, 21:59

Elvis Shkambi, i akuzuar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja brenda sallës së gjyqit, ka reaguar për herë të parë përmes një letre të gjatë tetëfaqëshe, shkruar më 3 nëntor nga qelia e paraburgimit.

Në letër, Shkambi shprehet se ka zgjedhur të heshtë për disa javë në respekt të familjes së viktimës, ndërsa tregon keqardhje të thellë për dhimbjen e shkaktuar.

“Ndjej keqardhje për familjen Kalaja, por edhe për timen, për shoqërinë dhe të afërmit e mi që u tronditën nga veprimi im,” shkruan ai.

Megjithatë, Shkambi thekson se ajo që ndodhi në sallën e gjyqit ishte “një veprim i palogjikshëm, por i nxitur nga një vendim po aq i palogjikshëm dhe skandaloz”.

Ai pretendon se vendimi i gjyqtarit Kalaja kishte për qëllim “grabitjen e titullit ekzekutiv” dhe se ishte ndikuar nga faktorë të jashtëm, jo nga padituria.

Në një pjesë tjetër të letrës, ai përmend edhe xhaxhain e tij, Gjon Shkambi, për të cilin thotë se “prej 13 vitesh ishte kthyer në një eksperiment njerëzor nga sistemi gjyqësor shqiptar”.

“Vendimi i datës 6 tetor 2025 bie ndesh me Kodin Civil, me vendimet unifikuese të Gjykatës së Lartë dhe me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut,” shkruan ndër të tjera Elvis Shkambi.

Letra, e cila është shpërndarë nga burime pranë familjes së tij, pritet të bëhet pjesë e dosjes hetimore që po shqyrtohet nga Prokuroria, ndërsa procesi ndaj tij vijon.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit