Transmetuar më 10-11-2025, 21:03

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, organizon një tryezë bashkëpunimi me komunitetet fetare: Trupi mund të jetë i burgosur, por shpirti mbetet i lirë, dhe se bashkëpunimi mes komuniteteve është një urë që lidh dhe forcon shpirtin

Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Klevis Qose, ka mbledhur në një tryezë të përbashkët përfaqësuesit e pesë komuniteteve kryesore fetare të vendit, në një nismë që synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe besimeve fetare. Në qendër të diskutimit ishte roli i fesë në procesin e rehabilitimit dhe riintegrimit të të dënuarve.

Takimi u zhvillua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, ku përfaqësuesit e komuniteteve fetare ndanë përvojat e tyre për punën me të burgosurit dhe theksuan ndikimin pozitiv që praktikat fetare kanë në sjelljen dhe stabilitetin emocional të tyre. Sipas tyre, përmes ndihmës shpirtërore, këshillimit moral dhe përfshirjes në rituale fetare, shumë të dënuar kanë gjetur qetësi dhe motivim për të ndryshuar.

Në tryezë morën pjesë Tauland Bica nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, atë Nikolla Kodheli nga Kisha Ortodokse Autoqefale, dom Kreshnik Ivan si kapelan i burgjeve të Tiranës dhe Durrësit, Kryegjyshi Botëror Bektashian, Haxhi Dede Edmond Brahimaj, si dhe përfaqësuesi i Vëllazërisë Ungjillore, Ergjest Biti. Të gjithë njëzëri theksuan rëndësinë e bashkëpunimit me autoritetet shtetërore për të krijuar një mjedis më njerëzor në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Gjatë fjalës së tij, drejtori Qose nënvizoi se besimi fetar është një element i rëndësishëm në procesin e rikthimit të të dënuarve në shoqëri, duke shtuar se “trupi mund të jetë i burgosur, por shpirti mbetet i lirë”. Ai e cilësoi bashkëpunimin ndërmjet komuniteteve fetare si një “urë që forcon shpirtin dhe rikthen dinjitetin njerëzor”.

Sipas Drejtorisë së Burgjeve, tryeza shënon fillimin e një bashkëpunimi më të strukturuar mes institucioneve dhe komuniteteve fetare, për të zhvilluar programe që synojnë edukimin moral dhe shpirtëror të të dënuarve, si pjesë e politikave të reja për rehabilitim dhe riintegrim shoqëror.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit