

Ish-ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill, ka dëshmuar në Hagë për kontaktet e para të diplomacisë amerikane me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, duke thënë se ato u vendosën nga diplomati Robert Gelbard.
“Robert Gelbard kishte pasur disa takime me shqiptarë në Zvicër që pretendonin se ishin përfaqësues të UÇK-së, por nuk kishte asnjë provë që ata ishin realisht përfaqësues të saj”, deklaroi Hill.
Ai pranoi se në fillim ishte e vështirë të identifikohej një udhëheqje e qartë e UÇK-së. “Ishte paaftësi dhe pamundësi për të gjetur një lider që mund të flisje me autoritet”.
Hill tregoi se Gelbard e kishte cilësuar UÇK-në si “organizatë terroriste”, duke u bazuar në përvojën e tij në Amerikën Latine, deklaratë që, sipas shumë kritikëve të kohës, mund të ketë ndikuar në sulmin serb ndaj familjes Jashari.
“Pati shumë kritika për deklaratën e Gelbard se UÇK-ja ishte organizatë terroriste dhe kishte fjalë se kjo e kishte shpejtuar këtë ngjarje. Gelbard sikur kishte dhënë dritën jeshile që kjo të ndodhte”, u shpreh Hill.
Megjithatë, ish-ambasadori theksoi se nuk ka prova për një gjë të tillë, por pranoi se deklaratat e diplomatit amerikan mund të jenë interpretuar si sinjal nga Beogradi për të vepruar.
Pas sulmit në Prekaz, Hill tha se Gelbard ndryshoi qëndrim dhe u tregua më i ashpër ndaj regjimit serb.
“Pas ngjarjeve në Prekaz, ai mori një qëndrim shumë më të ashpër ndaj serbëve dhe pati një bisedë të fortë me Millosheviçin”, shtoi ai.
Gjatë dëshmisë së tij, Hill foli për takimin e parë me Hashim Thaçin në vitin 1998, duke e përshkruar si një person që fliste me qetësi dhe maturi.
“Mu krijua përshtypja se ai ishte më shumë për një mjedis universitar sesa për një mjedis ushtarak”, tha diplomati amerikan.
I pyetur nëse kishte përshtypjen se Thaçi ishte person që kontrollonte UÇK-në, Hill theksoi se nuk kishte asnjë bazë për ta menduar këtë.
“Ai ishte në mesin e tre personave që erdhën, të cilët i takova. Por nuk m’u krijua përshtypja se ai ishte një person që kishte kontroll mbi këtë organizatë të madhe, ose që e drejtonte atë. Nuk kishte asnjë bazë për këtë”, dëshmoi Hill.
Në vijim të seancës, ambasadori Hill u pyet nga mbrojtja për pretendimet e udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviç, lidhur me Hashim Thaçin gjatë një takimi mes tyre në vjeshtën e vitit 1998.
“Jo vetëm që unë vlerësova që Thaçi nuk ishte ai person që e përshkruante Millosheviç, por nuk kisha dëgjuar këtë gjë nga askush dhe mendoj se është e rëndësishme që kuptohet e gjitha, sepse gjatë gjithë asaj kohe unë kam qenë në kontakt me presidentin Ibrahim Rugova, dhe ai kishte mundësi të shumta t’i denonconte njerëzit me emër, por nuk e ka bërë”, tha Hill.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






