

Në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Pogradecit është shënuar një moment tensioni pas miratimit të një vendimi që ka shkaktuar pakënaqësi në komunitetin e Çërravës. Banori Kevi Muçllari ka reaguar ashpër ndaj mënyrës si u zhvillua diskutimi dhe procesi i votimit.
“Siç e patë edhe vetë, pati një moment tensioni sepse këshilltari Engjëll Shyti u ngrit dhe na kërcënoi për shkak të asaj që thashë unë. Ishte një moment acarimi pas miratimit të vendimit, të cilin ne e kundërshtuam plotësisht,” tha Muçllari.
Ai sqaroi se deri në atë moment mbledhja kishte vijuar normalisht dhe me debat të qetë. “Kryetari i bashkisë tha se këto janë teka — kjo është e pavërtetë. Deri atëherë gjithçka ishte e racionale dhe argumentet tona janë të njohura e të arsyeshme,” u shpreh ai.
Sipas Muçllarit, tensioni shpërtheu në momentin kur vendimi u hodh në votim, pavarësisht kundërshtimeve të përfaqësuesve të komunitetit. “Nga ai moment ndodhi edhe përplasja me një anëtar të këshillit bashkiak. Ne nuk do ta lëmë me kaq këtë çështje. Këshilltarët që mbajtën këtë qëndrim, por edhe ata që ndryshuan votën, duhet të ndihen përgjegjës,” theksoi banori i Çërravës.
Ai shtoi se komuniteti do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore për të kundërshtuar vendimin. “Kjo është e papranueshme, pasi i prek drejtpërdrejt banorët e Çërravës. Ne do të vazhdojmë të luftojmë, sepse nuk kemi çfarë të bëjmë tjetër,” përfundoi Muçllari.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






