

Pas rezultateve të zgjedhjeve të pjesshme në pesë bashki të vendit, ku maxhoranca siguroi fitore të thella përballë kandidatëve të pavarur të mbështetur nga opozita, në radhët e Partisë Demokratike kanë nisur të ndihen tonet e pakënaqësisë.
Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar përmes një deklarate publike, duke e cilësuar ditën e zgjedhjeve si “një ditë të zezë për demokracinë dhe të ardhmen e Shqipërisë”.
Sipas tij, vendimi që opozita të mos hynte në garë me kandidatët e saj ka treguar mungesë përballjeje dhe angazhimi.
“Opozita zgjodhi rehatinë në vend të përballjes, paqen në vend të luftës, qetësinë në vend të angazhimit,” – u shpreh Salianji.
Ai theksoi se pjesëmarrja e ulët në votime është tregues i humbjes së besimit të qytetarëve te politika dhe te institucionet.
“Qytetarët treguan se nuk besojnë më se me votën e tyre mund të ndryshojnë diçka. Kjo situatë i shërben qeverisë së korruptuar, sepse sa më pak njerëz votojnë, aq më e lehtë është për pushtetin të manipulojë e të vjedhë,” – tha ai.
Në vijim, Salianji pranoi se Partia Demokratike po kalon një periudhë krize të brendshme, duke humbur “pasionin dhe zemrën për të bërë betejë”.
“Prej zgjedhjeve të 11 majit e deri sot, nuk jemi në rrugën e duhur. PD ka humbur pasionin për të luftuar dhe për të lexuar drejt shpresat e qytetarëve,” – theksoi ai.
Deputeti demokrat bëri thirrje për ndryshim të menjëhershëm brenda opozitës, duke e cilësuar këtë si domosdoshmëri përballë një pushteti që e quajti “autokratik dhe të korruptuar”.
“Ka ardhur koha të ndryshojmë, mundësisht sot, jo nesër. Çdo orë e vonuar është karburant për autokratin,” – përfundoi Salianji.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






