

Dy vite pas ngjarjes së rëndë që tronditi opinionin publik, familja e Migena Kodrës ende po përballet me plagët e thella që la pas ajo mbrëmje tragjike në Tiranë, kur e reja u vra nga kunati i saj ndërsa flinte në gjumë me vajzën vetëm 2 vjeçe në krahë.
Autori i ngjarjes, pas krimit, u vetëvra në oborrin e banesës, pasi u pa për pak momente me prindërit e tij. Ngjarja ndodhi në orët e vona të natës, ndërsa arma e krimit u gjet disa metra larg trupit të autorit, çka vazhdon të ngrejë dyshime mbi rrethanat e plota të vrasjes.
Në një rrëfim për emisionin “Me Zemër të Hapur” në News24, babai i Migenës, Kasemi Kodra, kujtoi me dhimbje momentet pas ngjarjes dhe vështirësitë që familja ka kaluar me dy nipërit e mbetur pa nënë.
“Nuk u vra as në rrugë, as në dysheme, por në dyshek, me fëmijën në gji,” – rrëfeu ai. – “Vajza e vogël ishte në traumë të jashtëzakonshme. Qante gjithë natën dhe e zinte gjumi vetëm nga lodhja në mëngjes.”
Kasemi tregon se kujdestarinë e fëmijëve e ka marrë familja e tij, pasi, sipas tij, ish-dhëndri nuk ka qenë në gjendje të kujdesej për ta.
“Ka pasur probleme mendore dhe nuk arrinte të përballonte kujdesin për të dy fëmijët. Për më tepër, nuk ka kontribuar financiarisht për ta,” – shtoi ai.
Edhe pse kanë kaluar dy vite, konfliktet për kujdestarinë dhe kujdesin ndaj fëmijëve vazhdojnë të mbeten të hapura, ndërsa kujtimi i Migenës mbetet ende i gjallë për familjen e saj dhe për publikun që u trondit nga ajo natë fatale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






