

Ish-ministri i Financave dhe ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka paditur qeverinë shqiptare në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg, duke e akuzuar për shkelje të imunitetit parlamentar dhe të së drejtës për privatësi gjatë hetimeve të zhvilluara ndaj tij nga SPAK.
Sipas dokumentit zyrtar, padia është depozituar më 8 maj 2024 dhe çështja i është komunikuar zyrtarisht qeverisë shqiptare më 6 tetor 2025.
Akuza lidhet me kontrollin e ushtruar më 9 mars 2023 në banesën e Ahmetajt, si dhe me sekuestrimin e telefonit të partneres së tij Erjola Hoxha, mbi bazën e një urdhri të GJKKO.
Ahmetaj pretendon se kontrolli ishte i paligjshëm, pasi në atë kohë ai ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe sipas nenit 73, pika 2 të Kushtetutës, banesa e një deputeti nuk mund të kontrollohet pa miratim paraprak nga Kuvendi.
Në ankesën e tij, ish-ministri deklaron se nuk kishte asnjë mjet efektiv ligjor për të kundërshtuar urdhrin e kontrollit dhe sekuestrimit, duke pretenduar shkelje të nenit 8 (e drejta për respektimin e jetës private dhe banesës) dhe nenit 13 (e drejta për një mjet juridik efektiv) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kështu, Gjykata e Strasburgut i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të sqarojë: Nëse kontrolli i banesës së Ahmetajt është kryer në përputhje me Kushtetutën shqiptare dhe me rregullat e imunitetit parlamentar; Dhe nëse ligjet dhe praktika gjyqësore shqiptare ofrojnë mjete të mjaftueshme për të ankuar vendimet e tilla të kontrollit dhe sekuestrimit.
Dokumenti:
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






