Transmetuar më 10-11-2025, 10:08

Në zgjedhjet e pjesshme të zhvilluara dje në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë, pjesëmarrja e votuesve ka qenë dukshëm më e ulët te të rinjtë, ndërsa grupmoshat mbi 55 vjeç kanë përcaktuar në mënyrë vendimtare rezultatin përfundimtar.

Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, qytetarët mbi 55 vjeç përbënin rreth 34.4% të listës së zgjedhësve, por dhanë 50% të votave në total, një pjesëmarrje ndjeshëm më e lartë se pesha e tyre në elektorat.

Më aktivët ishin votuesit mbi 65 vjeç, të cilët dhanë 27.6% të votave, ndërsa grupmosha 55-64 vjeç kontribuoi me 22.3%. Në disa zona si Mat dhe Tepelenë, mbi gjysma e të regjistruarve në këtë grupmoshë morën pjesë në votim, ndërsa në Vlorë pjesëmarrja e tyre ishte vetëm 18%.

Në krahun tjetër, të rinjtë 18–44 vjeç, ndonëse përbëjnë gati gjysmën e elektoratit (48.9%), dhanë vetëm 34.6% të votave. Ekspertët e lidhin këtë me emigracionin e lartë dhe mungesën e interesit politik të brezit të ri. Në Vlorë, më pak se 10% e votuesve nën 35 vjeç morën pjesë, ndërsa në Mat dhe Tepelenë përqindja ishte rreth 20–25%.

Në total, në listat zgjedhore të këtyre pesë bashkive ishin regjistruar 334,539 persona, ndërsa pjesëmarrja mesatare arriti vetëm 18.45%, shumë më e ulët se zgjedhjet vendore të vitit 2023 (rreth 38%).

Zgjedhjet u mbajtën pas krijimit të vendeve bosh në krye të disa bashkive, ndërsa procesi në Tiranë u anulua pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që i dha të drejtë kryebashkiakut aktual, Erion Veliaj.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit