Transmetuar më 10-11-2025, 08:09

Tiranë- Asnjë surprizë nga zgjedhjet e pjesshme lokale në 5 bashkitë e vendit. Partia Socialiste është fituesja e padiskutueshme në Vlorë, Berat, Cërrik, Mat dhe Tepelenë. PD e Sali Berishës, ndonëse në këto zgjedhje zgjodhi që të fshihej pas kandidatëve të pavarur, ka pësuar disfatën e radhës. Kandidatët e saj kanë marrë rezultate në pikiatë, ndërsa vetë PD krahasuar me rezultatet e zgjedhjeve të 11 majit, në këto 5 bashki ka pësuar një tkurrje të ndjeshme.

VLORË

Vlora ishte bashkia e parë që e nxori rezultatin, bashki në të cilën pati pjesëmarrjen më të ulët me 12,5% të zgjedhësve. Drejtuesja e Bashkisë së Vlorës do të jetë ish-deputetja Brunilda Mersini, e cila nën logon e PS arriti të marrë një fitore të thellë me 78% ose 15 672 vota.

‘Gara’ e vetme në Vlorë ishte se cili prej dy kandidatëve të pavarur opozitarë do të ruante vendin e dytë. Kandidati i pavarur i mbështetur nga PD dhe aleatët mori 2333 vota ose 11.68%, ndërsa këshilltari i PD i cili u rebelua ndaj partisë mori 1975 vota ose 9.88%, një diferencë e ngushtë me vetëm 358 vota. Në këtë bashki, PD ka një tkurrje 13.52% krahasuar me rezultatet e 11 majit, kur mori 25.2% të votave në këtë bashki, ndërsa PS rritet me 19%.

CËRRIK

E njëjta panoramë paraqitet edhe në Bashkinë e Cërrikut ku PS ka fituar fitoren me 66.22%. Kandidati Florenc Doka ka marrë 6201 vota, një diferencë prej 4313 votash nga kandidati i pavarur i cili u mbështet nga PD, Amarildo Hoxha. Ky i fundit ka marrë 1888 vota, një diferencë tejet e ngushtë prej 613 votash me kandidatin Eligert Hima të Shqipëria Bëhet, i cili mori 1275 vota. Krahasuar me rezultatet e 11 majit në këtë Bashki, PS shënon një rritje me 6.72%, ndërsa PD tkurret me 9,14%.

BERAT

Diferenca është e frikshme edhe në Bashkinë e Beratit. Kandidati socialist ka marrë fitoren me 13050 vota ose 83.35% kundrejt 2607 votave ose 16.65% të kandidatit të mbështetur nga PD, Pavlo Shkarpa. Po të krahasojmë këtë rezultat me zgjedhjet e 11 majit, PS rritet në këtë bashki me 28%, ndërsa PD tkurret me 16.75%.

TEPELENË

E njëjta situatë paraqitet edhe në Tepelenë, e cila në total kishte 21 Qendra Votimi dhe në këtë bashki për herë të parë u testua edhe numërimi i votave me Inteligjencë Artificiale, krahas numërimit manual. PS me ish-ushtarakun Gramos Sako kanë fituar me 77.85% ose 3261 vota. Ndërkohë, kandidati i mbështetur nga PS, 26-vjecari Gabriel Guma ka siguruar vetëm 928 vota. PS rritet me 9.5% krahasuar me rezultatet e 11 majit në këtë bashki, ndërsa PD tkurret me gati 1%.

MAT

E vetmja bashki në veri të vendit që shkoi në zgjedhje të pjesshme, Mati, u fitua sërish nga socialistët. Me Altin Bojnin i cili ka fituar me 7425 vota ose 66.54%. Rivali i tij, kandidati i pavarur i mbështetur nga PD, Eduart Brahilika ka marrë 3184 vota ose 28.54%. Ndërkohë, kandidatja Suzana Pasha që sfidoi partinë e saj PS-në, duke kandiduar si e pavarur ka marrë vetëm 549 vota ose 4.92%. Edhe në këtë bashki, PD ka rënie krahasuar me rezultatin e 11 majit, një rënie me 8.16%, ndërsa PS rritet me 7.34%.

Në total, vetëm 18.45% nga 334.539 mijë qytetarë me të drejtë vote hodhën votën në kutitë e votimit në të 5-ta bashkitë. Bashkia me numrin më të lartë të pjesëmarrjes ishte Mati me 39.36%, e ndjekur nga Tepelena me 34.63%, Cërriku me 25%, dhe Berati me 19.98%. Pjesëmarrjen më të ulët e shënoi Vlora, bashkia më e madhe në zgjedhjet e pjesshmë të së dielës, ku votuan vetëm 12.54 përqind.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit