Transmetuar më 09-11-2025, 21:12

KOSOVA- Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, ka shpallur fitoren për një mandat të dytë në krye të Prishtinës, pas balotazhit me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje, Hajrulla Çeku. Sipas rezultateve të deritanishme, kur janë numëruar mbi 95% të votave, Rama kryeson me 51.49% (43,785 vota), ndërsa Çeku ka marrë 48.51% (41,246 vota).

Në fjalën e tij të parë pas shpalljes së fitores, Rama falënderoi qytetarët e kryeqytetit për besimin, duke e cilësuar këtë si fitore të bashkëpunimit dhe qytetarisë.

“Faleminderit shumë Prishtina, qytet i zemrës sime. Sonte është festa e qytetit tonë, e shpresës, unitetit dhe e demokracisë. Sonte festojmë të gjithë qytetarët e Prishtinës, pa dallim bindjesh, sepse ka fituar vullneti për zhvillim, unitet dhe qytetari. Kjo është fitorja e pjekurisë së Prishtinës, që thotë se Prishtina zhvillohet vetëm kur e ndërtojmë bashkë sepse është e të gjithëve.

Sonte fitoi qytetari që kërkon bashkëpunim e jo bllokim; fitoi kultura demokratike mbi kultin e individit; fitoi dinjiteti, uniteti dhe civilizimi politik i këtij qyteti. Kjo është fitorja më e madhe. Bashkohuni me ne në orën 21:30 në sheshin ‘Skenderbeu’ dhe ‘Ibrahim Rugova’”, tha Rama.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit