

Zgjedhjet e pjesshme vendore që u zhvilluan këtë të diel në 5 bashki të vendit, shënuan numrin më të ulët të pjesëmarrjes në votime, të regjistruar në historikun e zgjedhjeve në Shqipëri.
Në bashkitë e Vlorës, Beratit, Tepelenës, Cërrikut dhe Matit votuan vetëm 18.72% e qytetarëve me të drejtë vote.
Ky është rekordi më negativ përsa i përket përfshirjes së qytetarëve në procesin më të rëndësishëm vendimmarrës për pushtetin vendor, atë të zgjedhjes së kryetarit të Bashkisë.
Referuar zgjedhjeve vendore të vitit 2023, pjesëmarrja ishte 38.23%, ndërsa në vitin 2019 kur Partia Socialiste votoi e vetme pasi Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim i bojkotuan zgjedhjet, pjesëmarrja ishte 22.96%.
Por cilat janë arsyet e bojkotit të zgjedhjeve të 9 nëntorit?
Sipas një analize, një nga arsyet pse qytetarët nuk dolën të votojnë është injorimi i procesit nga partitë politike. Si rrallëherë, asnjë nga partitë e mëdha nuk u angazhua në fushatë dhe asnjë nga drejtuesit e lartë të tyre nuk doli në terren.
Teksa vëmendja e dy partive të mëdha u fokusua tek zgjedhjet në Tiranë, megjithëse vijonte beteja ligjore në gjykatën Kushtetuese, ku ish-kryebashkiaku Erion Veliaj kishte ankimuar vendimin e shkarkimit, në 5 bashkitë e tjera nuk u zhvilluan takime elektorale, hapje apo mbyllje të fushatës, asnjë debat televiziv.
Ndryshe nga zgjedhjet e tjera, opozita nuk kandidoi në zgjedhjet e 9 nëntorit me kandidatët e saj por mbështeti disa kandidatë të pavarur, duke mos arritur ta angazhojë drejtpërdrejt elektoratin e saj.
Në këtë mënyrë, partitë politike nuk bënë asgjë për të motivuar qytetarët, duke i dhënë kështu një goditje të rëndë morale procesit.
Nga rezultatet e publikuara prej KQZ, një kryetar bashkie që zgjidhet me më pak se 20% të votave, nuk mund të përfaqësojë shumicën e qytetarëve të bashkisë që do të drejtojë.
Zgjedhjet e sotme treguan se nëse partitë politike do të heqin dorë nga proceset zgjedhore, qytetarët nuk do t% dëshirojnë të marrin pjesë, duke çuar në dështimin e procesit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






