Transmetuar më 09-11-2025, 20:05

KOSOVA- Sipas të dhënave të exit poll-it të T7, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Përparim Rama, do të vazhdojë të jetë kryetar i Prishtinës për katër vitet e ardhshme. Rama ka siguruar 52.8% të votave, ndërsa kundërkandidati i tij nga Lëvizja Vetëvendosje, Hajrulla Çeku, ka marrë 47.2%, sipas këtyre matjeve.

Sipas të dhënave paraprake nga exit poll-et, Lëvizja Vetëvendosje pritet të fitojë në Gjilan dhe Fushë Kosovë. Në Gjilan, LVV-ja vazhdon me kandidatin aktual, Alban Hyseni, ndërsa për Fushë Kosovë, që historikisht ka qenë nën administrimin e LDK-së, kandidati i LVV-së është Valon Prebreza.

Nga ana tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës duket se do të vazhdojë të qeverisë në Prishtinë, ku Përparim Rama parashikohet të fitojë një mandat të dytë duke mundur Hajrulla Çekun të LVV-së.

Në Gjakovë, sipas exit poll-eve, Adrian Gjini nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës duket se do të rizgjidhet, duke mundur Adrian Golën të LVV-së.

Ndërsa në Pejë, kryetari aktual, Gazmend Muhaxhiri nga LDK, pritet të fitojë edhe një mandat, duke mposhtur kundërshtarin e tij nga LVV, Taulant Kelmendi.

Komunat që u zhvilluan sot balotazhi i zgjedhjeve janë: Prishtina, Prizreni, Peja, Juniku, Dragashi, Gjakova, Kaçaniku, Fushë Kosova, Mitrovica e Jugut, Rahoveci, Suhareka, Gjilani, Vitia, Vushtrria, Obiliqi, Klina, Mamusha dhe Kllokoti.

Gjithsej sot u hapën 507 qendra votimi dhe të drejtë vote në këto komuna kishin 1 milionë e 316 mijë e 672 qytetarë. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, ka deklaruar se procesi i votimit ka qenë i qetë dhe pa problematika. Pas procesit të votimit, pritet që në Kosovë të mblidhen kutitë me vota dhe të nis numërimi i kutive.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit