Transmetuar më 09-11-2025, 18:55

Vlora i kthen shpinën votimeve – vetëm 12% e qytetarëve morën pjesë, rekordi më i ulët në vend

Mbyllet zyrtarisht procesi i votimit në pesë bashkitë ku u zhvilluan zgjedhjet vendore: Vlorë, Mat, Tepelenë, Cërrik dhe Berat. Qendrat e votimit u mbyllën në orën 18:00, ndërsa të drejtë vote kishin gjithsej 334 mijë qytetarë.

Sipas të dhënave përfundimtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pjesëmarrja kombëtare arriti në 18.51%.

Rekordin më të lartë e mbajti Bashkia Mat me 39.23%, ndërsa më e ulëta u regjistrua në Vlorë me vetëm 12.5%, duke shënuar një nga nivelet më të ulëta të pjesëmarrjes në zgjedhje të viteve të fundit.

Në bashkitë e tjera, pjesëmarrja ishte: Tepelenë 34.63%, Cërrik 24.81% dhe Berat 19.81%.

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi, deklaroi se procesi u zhvillua në mënyrë të qetë dhe pa incidente madhore, duke thënë se janë regjistruar vetëm dy raste të izoluara në Cërrik dhe Vlorë, të cilat po verifikohen.

Vetëm 12% e qytetarëve në Vlorë votuan – bojkot i qartë ndaj politikës dhe pushtetit

Përtej shifrave, pjesëmarrja e ulët në këto zgjedhje shihet si një sinjal i qartë i lodhjes së elektoratit me politikën. Në shumë zona, veçanërisht në Vlorë, votuesit zgjodhën të qëndronin në shtëpi si formë proteste ndaj qeverisë, ndërsa opozita, që nuk garoi me kandidatë të vetin, por mbështeti kandidatë të pavarur, nuk arriti të ngjallte besim apo entuziazëm tek qytetarët.

Analistët e quajnë këtë rezultat “një mesazh i heshtur nga qytetarët”, që tregon jo thjesht mungesë interesi, por një bojkot të qëllimshëm ndaj gjithë klasës politike.

***

Kandidatët në garë bënë thirrje gjatë ditës për pjesëmarrje më të gjerë, por apeli i tyre nuk u reflektua në kutitë e votimit.

Sipas të dhënave të KQZ-së, më aktivë ishin qytetarët mbi 65 vjeç, ndërsa të rinjtë 18–22 vjeç treguan interesin më të ulët për procesin zgjedhor, vetëm rreth 8 për qind. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit