

Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur mëngjesin e së dielës në unazën jugore të Bergamos, në rrugën shtetërore 470 “della Val Brembana”, pranë Stezzano-s. Nga përplasja mes një Mercedes-i dhe një furgoni “Citroën Berlingo” humbën jetën tre persona, mes tyre dy të rinj me origjinë shqiptare.
Viktimat janë Klinton Sala, 23 vjeç nga Melzo (Milano), drejtues i Mercedes-it që dyshohet se shkaktoi aksidentin, dhe Denis Cana, 21 vjeç nga Lodi. Të dy ishin miq dhe po udhëtonin së bashku. Viktima e tretë është Oscar Angioletti, 62 vjeç nga Zanica (Bergamo), i cili ndodhej në furgon me vëllain e tij 64-vjeçar, që mbeti i plagosur rëndë.
Sipas hetimeve paraprake të karabinierëve, Mercedes-i ka tentuar të parakalojë një makinë tjetër në një zonë me vijë të dyfishtë të vazhdueshme, duke hyrë në krahun e kundërt dhe u përplas drejtpërdrejt me furgonin.
Në vendngjarje ndërhynë ekipet e emergjencës, zjarrfikësit dhe policia rrugore. Seksioni i rrugës ku ndodhi ngjarja u mbyll për disa orë për hetime.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






