Transmetuar më 09-11-2025, 18:27

Videoja e re nga Zyra Ovale ndez debat për gjendjen e Trump – reagime dhe mohim nga Shtëpia e Bardhë

Pamje të presidentit amerikan Donald Trump me sytë gjysmë të mbyllur dhe duke i fërkuar gjatë një deklarate në Zyrën Ovale u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke shkaktuar komente ironike dhe pyetje për gjendjen e tij shëndetësore.

Skena është marrë nga deklaratat e së enjtes, ku ai njoftoi ulje çmimesh për medikamentet kundër obezitetit.

Menjëherë pas publikimit, rrjetet u mbushën me reagime dhe krahasime. Zyra e shtypit e guvernatorit të Kalifornisë, Gavin Newsom, publikoi një foto të Trump me mbishkrimin “Sleepy Don është rikthyer”.

Nga ana tjetër, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Taylor Rogers, mohoi se presidenti po flinte, duke theksuar se “ai foli gjatë gjithë kohës, iu përgjigj pyetjeve dhe shpalli masa historike që do të shpëtojnë jetë”.

Bashkëpunëtorët e Trump theksuan se ai, pavarësisht moshës 79 vjeç, ruan energji të lartë dhe përmendën fjalimet e gjata që ka mbajtur së fundmi, përfshirë një në Miami dhe një turne disa-ditor në tre vende aziatike.

Megjithatë, diskutimet për gjendjen e tij shëndetësore u ringjallën, veçanërisht pas njoftimeve se ai i ishte nënshtruar një rezonance magnetike në spitalin ushtarak Walter Reed, si dhe pas diagnozës së verës për insuficiencë kronike venoze për shkak të ënjtjes në këmbë.

Ngjarja mori edhe përmasë politike, pasi Trump — që shpesh e ka quajtur Joe Biden “Sleepy Joe” — tani përballet me të njëjtën nofkë. Krahasimet për vitalitetin dhe përshtatshmërinë e udhëheqësve në moshë të thyer janë ndezur sërish, ndërsa videoja vazhdon të qarkullojë gjerësisht online. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit