Transmetuar më 08-11-2025, 14:04

8 Nëntor 2025

GREQI – Një ngjarje e rëndë dhe e mbuluar me mister ka tronditur zonën e Skourtës, në Viotia të Greqisë, ku policia lokale ka gjetur trupin e një personi tërësisht të karbonizuar brenda një automjeti të djegur. Hetimet paraprake kanë ngritur dyshime se viktima mund të jetë një shtetas shqiptar.

Sipas raportimeve të mediave greke, përfshirë protothema.gr, automjeti është zbuluar të premten pasdite në një vend të thellë dhe të izoluar, i aksesueshëm vetëm përmes një rruge rurale në gjendje të keqe. Pamjet nga vendngjarja tregojnë një makinë tërësisht të shkrumbuar, me trupin e pajetë në gjendje të dekompozuar, duke e bërë të pamundur identifikimin e menjëhershëm të tij.

Policia greke dyshon se trupi mund t’i përkasë një burri me origjinë nga Shqipëria, punëtor ndërtimi, i cili ishte raportuar i zhdukur në zonën e Vilia-s disa ditë më parë. Burime nga hetimet bëjnë me dije se ai ishte larguar nga shtëpia me makinën e tij, ndërsa që prej asaj kohe nuk kishte dhënë asnjë shenjë jete.

Ndërkohë, autoritetet kanë zbuluar se mjeti ku u gjet trupi ishte vjedhur nga zona e Glyfadës dhe mbante targa të falsifikuara, çka ngre dyshime për një ngjarje të qëllimshme dhe jo një aksident.

Aktualisht, ekspertët kriminalistë po presin rezultatet e analizës së ADN-së, e cila do të krahasojë mostrat e marra nga trupi i gjetur me ato të të afërmve të shqiptarit të zhdukur. Vetëm pas këtij testi do të konfirmohet identiteti i viktimës.

Policia greke nuk përjashton asnjë pistë hetimore, përfshirë mundësinë e një vrasjeje të qëllimshme apo të një larje hesapesh, pasi mënyra se si është gjetur trupi dhe vendndodhja e makinës lënë shumë pikëpyetje. Hetimet po vijojnë në bashkëpunim me njësitë antikrimit dhe prokurorinë lokale të Viotias.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit