Transmetuar më 08-11-2025, 12:20

Tiranë, 8 Nëntor 2025 – 12:15

Policia Kufitare e Rinasit ka vënë në pranga tre shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në kuadër të kontrolleve të shtuara për goditjen e paligjshmërisë dhe kapjen e personave me precedent penalë.

Mes të arrestuarve është Denis Xhelili, 41 vjeç, nga Vlora, i cili rezulton i dënuar në Mbretërinë e Bashkuar me 13 vjet e 4 muaj burg për veprat penale “Komplot për furnizim me drogë të klasit A” dhe “Komplot për shmangie nga ndalimi i importimit të një droge të klasit A”. Ai ishte deportuar nga Britania dhe u ndalua sapo mbërriti në aeroportin e Rinasit.

Po ashtu, u arrestua V. S., 38 vjeç, nga Tirana, i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 2 vjet e 4 muaj burg për veprën penale “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”. Ky shtetas udhëtonte nga Belgjika dhe u ndalua gjatë verifikimeve në hyrje të territorit shqiptar.

I treti në pranga është M. M., nga Korça, ndaj të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor kishte konvertuar një dënim me gjobë në burgim për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit”.

Pas procedurave të kryera, të tre shtetasit iu dorëzuan për veprime të mëtejshme Drejtorive Vendore të Policisë Vlorë, Tiranë dhe Korçë.

Policia e Shtetit theksoi se kontrollet në aeroportin e Rinasit do të vijojnë me intensitet, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, për identifikimin dhe ndalimin e personave të kërkuar për krime jashtë vendit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit