Transmetuar më 08-11-2025, 11:40

Sarandë – Sekuestrohen pasuri me vlerë 12 milionë euro, të dyshuara si të përfituara nga veprimtari kriminale. Pasuritë në emër të shtetasve Kristi Qirici alias Jetmir Hoxha dhe Adriatik Kalemi

Vlorë – Në një operacion të zhvilluar nga Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 12 milionë euro, që dyshohet se janë përfituar nga të ardhura të paligjshme.

Dy raste të veçuara nën hetim

Hetimet kanë evidentuar dy raste të veprimtarive të dyshuara kriminale, që lidhen me pastrimin e produkteve të veprës penale.

Pas regjistrimit të procedimeve penale dhe analizës së pasurive të dy shtetasve me precedentë penalë, Gjykata e Sarandës dhe më pas Gjykata e Apelit kanë dhënë vendime për sekuestro preventive të disa pasurive të paluajtshme dhe të luajtshme në qytetet Sarandë, Tiranë, Vlorë dhe Memaliaj.

Rasti i parë – Kristi Qirici alias Jetmir Hoxha, 43 vjeç, banues në Sarandë

Ky shtetas, me precedentë kriminalë në fushën e narkotikëve, është vënë nën hetim për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Me vendim të datës 07.09.2025, i lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit më 24.10.2025, janë vënë nën sekuestro këto pasuri:

Një hotel 6-katësh, me 37 dhoma, sipërfaqe ndërtimi 248 m² për kat dhe garazh 440 m², në Sarandë;

Një hotel 4-katësh, me 15 dhoma dhe lokal, sipërfaqe ndërtimi 160 m² + 80 m², në Sarandë.

Rasti i dytë – Adriatik Kalemi, 53 vjeç, banues në Sarandë

Edhe ky shtetas rezulton me precedentë penalë në fushën e krimeve ndaj personit, trafiqeve dhe narkotikëve, nën hetim për të njëjtën vepër penale.

Me vendim të Gjykatës së Sarandës të datës 31.07.2025, është urdhëruar sekuestro preventive mbi pasuritë e mëposhtme:

Në Sarandë: Lokal shërbimi 103 m² dhe një pasuri tjetër 123.1 m²;

Në Tiranë: Apartament 78.4 m², parcelë ndërtimi 60.12 m², dyqan 103 m² dhe arë 800 m²;

Në Rradhimë (Vlorë): Pasuri 36 m², pasuri 485 m² dhe pasuri 619 m²;

Në Memaliaj (Tepelenë): Pasuri 386 m², truall 650 m² dhe një tjetër pronë ndërtimi.

Gjithashtu janë sekuestruar 1 mjet lundrues, 4 automjete dhe 12 llogari bankare në emër të të dyshuarit dhe familjarëve të tij.

Hetimet vijojnë

Nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës, vijon puna për gjurmimin e aseteve të tjera që mund të jenë regjistruar në emër të personave të lidhur apo familjarëve të të dyshuarve, me qëllim të shmangies së origjinës së vërtetë të pasurisë. Operacioni është pjesë e strategjisë kombëtare për goditjen e pasurisë së përfituar nga veprimtari kriminale dhe për forcimin e kontrollit ekonomik në zonat bregdetare dhe turistike të vendit. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit