Transmetuar më 08-11-2025, 09:23

Arrestohet një taksist 46-vjeçar për trafik armësh dhe lëndë narkotike

Një 46-vjeçar u arrestua në Tiranë si pjesë e operacionit policor të koduar “Gun Expert”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë nr. 4 në bashkëpunim me Seksionin e Trafiqeve të DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.

Hetimi është ndjekur me metoda speciale, duke çuar në ndalimin e shtetasit Altin Celami, i cili, sipas burimeve hetimore, përdorte automjetin e tij tip taksi për të shmangur kontrollet policore.

Arrestimi u krye në rrugën e Dibrës, ku gjatë kontrollit të mjetit dhe më pas të banesës, policia gjeti dhe sekuestroi katër armë zjarri pistoletë, municion luftarak, lëndë narkotike të dyshuar kokainë dhe pjesë të ndryshme armësh.

Nga të dhënat e hetimit dyshohet se armët ishin të destinuara për t’u shitur tek grupe kriminale aktive në kryeqytet.

Burime nga grupi hetimor konfirmojnë se i arrestuari ka qenë i implikuar edhe më parë në aktivitete të ngjashme të trafikimit të armëve.

Materialet hetimore janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Hetimet po vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm dhe rrjetit të furnizimit me armë që dyshohet se funksiononte në disa zona të Tiranës. /noa.al

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit