Transmetuar më 07-11-2025, 17:56

Uashington, 7 Nëntor 2025

Kriza e shkaktuar nga mbyllja e qeverisë amerikane ka prekur ndjeshëm sektorin e transportit ajror, duke sjellë anulimin e mbi 750 fluturimeve në të gjithë vendin dhe vonesa të gjata në aeroportet kryesore. Sipas platformës FlightAware, anulimet janë pasojë e urdhrit të Administratës Federale të Aviacionit (FAA) për të ulur me 10% numrin e fluturimeve në rreth 40 zona me trafik të lartë, për arsye sigurie. Ky vendim është marrë për shkak të mungesës së personelit, pasi qindra kontrollorë ajrorë dhe punonjës të sigurisë janë pa paga për shkak të mbylljes së institucioneve federale. Linjat ajrore kanë nisur të shkurtojnë oraret e tyre. American Airlines njoftoi anulimin e rreth 220 fluturimeve në ditë, ndërsa Delta Airlines ka anuluar rreth 170. Ndër aeroportet më të prekur janë Boston, Newark, Çikago O’Hare dhe Reagan National në Uashington, ku udhëtarët u përballën me vonesa që shkuan deri në dy orë.

“Nuk do të presim që një problem sigurie të ndodhë, kur sinjalet tregojnë se duhet të veprojmë menjëherë për të parandaluar përkeqësimin e situatës,” – deklaroi Administratori i FAA-së, Bryan Bedford.

Situata vjen në një periudhë të ndjeshme për transportin ajror amerikan, teksa vendi hyn në stinën më të ngarkuar të udhëtimeve për shkak të festave të fundvitit. Reduktimet e fluturimeve pritet të godasin aeroportet kryesore, përfshirë Atlantën, Denverin, Hjustonin dhe Los Anxhelosin, duke krijuar sfida të reja për kompanitë ajrore që operojnë me rrjete komplekse dhe varësi të ndërsjellë. Mbyllja e qeverisë amerikane ka lënë rreth 1.4 milion punonjës federalë pa paga, përfshirë kontrollorët e trafikut ajror, stafin e sigurisë dhe rojet e parqeve kombëtare, pasi Kongresi nuk arriti të miratonte fondet pas datës 30 shtator.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit