Transmetuar më 07-11-2025, 17:34

Tiranë, 7 Nëntor 2025

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) ka njoftuar se fundjava do të karakterizohet nga reshje të dendura shiu dhe borë, si dhe ulje të ndjeshme të temperaturave në të gjithë vendin.

Sipas parashikimeve, reshje shiu deri intensive të shoqëruara me shtrëngata do të përfshijnë pesë qarqe të vendit: Shkodrën, Lezhën, Durrësin, Vlorën dhe Gjirokastrën, ndërsa në pjesën tjetër të territorit reshjet do të jenë me intensitet mesatar.

“Problematika nga intensiteti i shtuar i reshjeve mund të shfaqen në dy qarqet e jugut, Vlorë dhe Gjirokastër. Intensitet më i lartë pritet sot dhe nesër, ndërsa të dielën reshjet do të jenë të dobëta,” – thuhet në njoftimin e IGJEUM-it.

Në zonat verilindore, mbi 1 mijë metra mbi nivelin e detit, priten reshje bore, ndërsa në bregdet era do të jetë mesatare deri intensive, duke shkaktuar dallgëzim në det.

Temperaturat do të bien gradualisht që nga e shtuna, me një ulje prej rreth 2 gradësh, ndërsa të dielën pritet një tjetër rënie me 2 gradë shtesë, veçanërisht gjatë natës.

Sipas meteorologëve, temperaturat pritet të mbeten të ulëta edhe gjatë javës së ardhshme, ndërsa reshjet do të largohen pasditen e së martës, kur do të rikthehet moti i kthjellët në pjesën më të madhe të vendit

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit