Transmetuar më 07-11-2025, 13:42

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar sot se opozita do hapë platformën parlamentare para kryeministrisë, ku do flasin deputetët dhe qytetarët. Gjatë një konference për mediat, Berisha u shpreh se gjatë 9 seancave të zhvilluara në parlament, opozita është lejuar të diskutojë vetëm në një seancë. Sipas tij ky është një rast i shkelmimit të Kushtetutës, rregullores së parlamentit dhe rendit kushtetues të vendit.

Lideri i opozitës deklaroi se nisur nga ky rast, PD do të hapë platformën parlamentare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave, ku deputetët e opozitës dhe qytetarët do të paraqesin në fjalimet e tyre të gjitha mendimet, propozimet, denoncimet. Në fund, nga zyra e selisë blu Berisha tha se ky është një hap i domosdoshëm për t’iu përgjigjur represionit në parlament të opozitës, të pluralizmit, dhe të shkelmimit të ligjeve në funksionimin e këtij institucioni.

"Narkomazhoranca apo pseudomazhoranca ka kaluar në ekstrem. Në parlament nga 9 seanca të zhvilluara, me gjithë angazhimin më serioz të opozitës në çdo komision, në çdo seancë, ju jeni dëshmitarë se opozita është lejuar të diskutojë vetëm në një seancë, çka do të thotë de facto asgjësim i parlamentit dhe parlamentarizmit. Çka do të thotë shkelmim i Kushtetutës, rregullores së parlamentit, rendit kushtetues të vendit. Çka do të thotë mohim i të drejtave të opozitës. Plas çdo skandal, jo tanimë kryeministri, por as ministrat nuk paraqiten në interpelancë.

Në këto kushte do i sugjeroj grupit parlamentar dhe partisë që opozita të hapë platformën parlamentare para ndërtesës së Këshillit të Ministrave dhe aty deputetët e opozitës, qytetarët, të paraqesin në fjalimet e tyre të gjitha mendimet, propozimet, denoncimet. Pas 9 seancash, opozita është lejuar të debatojë vetëm një ditë në parlament. Atëherë ne kalojmë në debat me qytetarët. Kjo përbën një hap të domosdoshëm për t’iu përgjigjur represionit në parlament të opozitës, të pluralizmit, shkelmimit të ligjeve, të Kushtetutës, në funksionimin e këtij institucioni." tha Berisha

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit