Transmetuar më 07-11-2025, 12:36

Një takim i zhvilluar me dyer të mbyllura në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka shënuar fillimin e diskutimeve për riorganizimin e strukturës drejtuese të institucionit.

Mësohet se Policia e Shtetit do të funksionojë me gjashtë departamente kryesore:

Departamenti i Policisë Kriminale Departamenti i Kufirit Departamenti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Departamenti i Rendit dhe Sigurisë Publike Departamenti i Shërbimeve Mbështetëse Departamenti i Teknologjisë së Informacionit (IT)

Burime nga brenda strukturës bëjnë të ditur se drafti i ri parashikon fuqizimin e Departamentit të Policisë Kriminale, i cili do të ketë më shumë kompetenca dhe drejtori nën varësi, ndërsa departamentet e tjera do të reduktohen në përmasa dhe atribute.

Departamenti i ri do të quhet “Departamenti për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda” dhe do të përbëhet nga shtatë drejtori:

Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale Drejtoria e Emergjencës dhe Arkivës Kriminale Drejtoria për Hetimin e Krimit Kibernetik Drejtoria e Europol

Një ndryshim i dukshëm është kalimi i Drejtorisë së Europol nën varësinë e këtij departamenti, ndonëse në shumicën e vendeve të BE-së Europol dhe Interpol funksionojnë së bashku.

Me hyrjen në fuqi të strukturës së re, pritet shkrirja e Drejtorisë së Krimit të Organizuar, aktualisht e drejtuar nga Edmond Rizai, për shkak të mbivendosjeve me Drejtorinë e Antidrogës.

Reformimi pritet të përqendrojë më shumë pushtet në nivelet e larta drejtuese, duke e ndarë Policinë e Shtetit në dy shtylla kryesore: Drejtorin e Përgjithshëm dhe Drejtorin e Departamentit për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda, post i cili aktualisht mbahet nga Neritan Nallbati.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit